![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Kolinda-Grabar-Kitarovic-640.-Photo-Beta.jpg)
Një përfaqësues i lartë i minoritetit serb të Kroacisë ka akuzuar presidenten Kolinda Grabar Kitaroviç se ka inkurajuar njerëzit që përdorin gjuhë urrejtjeje kundër pakicave etnike dhe kundërshtarëve të qeverisë.
![Kolinda Grabar Kitaroviç. Foto: Beta](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Kolinda-Grabar-Kitarovic-640.-Photo-Beta-533x400.jpg)
Deputeti Milorad Pupovaç, i cili është gjithashtu kreu i Këshillit Kombëtar Serb, i cili përfaqëson serbët e Kroacisë, tha për BIRN se ishte i shqetësuar nga një përgjigje që kishte marrë nga presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviç, pasi ai shprehu shqetësim rreth “rritjes së intolerancës, gjuhën e urrejtjes dhe thirrjeve për dhunë ” kundër pakicave.
Në një letër të hapur që ai i shkroi javën e kaluar Grabar Kitaroviçit, kryeministrit Tihomir Oreskoviç dhe zv/kryeministrave Bozo Petrov dhe Tomislav Karamarko nga qeveria e re e qendrës së djathtë të vendit, Pupovaç ngriti shqetësime në lidhje me atë që ai tha se ishte një rritje e ksenofobisë dhe një “fushatë urrejtje dhe intolerance” kundër serbëve.
Pupovaç tha në letër se disa figura publike jo-serbe që shiheshin si “tradhtarë” nga të djathtët kishin marrë edhe kërcënime gjatë muajve të fundit: drejtor i teatrit Oliver Frljiç, aktivisti Zoran Pusiç, aktorja Nina Violiç dhe drejtoresha e këshillit për mediat elektronike, Mirjana Rakiç.
Ai tha gjithashtu se ai vetë ishte pështyrë dhe ofenduar ndërsa ecte në qendër të Zagrebit nga njerëz që përdornin slogane nacionaliste, të cilët i kishin thënë atij të largohej në Serbi.
Por ai e përshkroi si të pamjaftueshme letrën e Grabar Kitaroviçit ku ajo i përgjigjet shqetësimeve të tij.
“Pa marrë parasysh se në fund të letrës së saj, presidentja bëri thirrje për dialog, ajo shprehu disa qëndrime dhe vërejtjet që vetëm mund t’i nxisnin më shumë ata që përdorin gjuhën e urrejtjes – protagonistët që përjashtojnë pakicat dhe ndërmarrin veprime të dhunshme,” tha ai.
“Fatkeqësisht, presidentja, ndoshta jo qëllimisht, i ka dhënë asaj ane të errët të drejtën për të vepruar me formulimin e saj të papërcaktuar të ndjenjave të saj,” shtoi ai.
![Milorad Pupovaç. Foto: Jovica Drobnjak/Novosti](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Milorad-Pupovac-640.-Photo-Novosti-Jovica-Drobnjak-533x400.jpg)
Në përgjigjen e saj ndaj Pupovaç, të dërguar të shtunën, Grabar Kitaroviç tha ajo e kuptonte shqetësimin e tij, por fajëson qeverinë së mëparshme të qendrës së majtë dhe ish-kryeministrin e saj Zoran Milanoviç, duke thënë se rritja e ksenofobisë ishte pasojë e “krijimit, me ose pa qëllim, të tensioneve ideologjike vite të gjata”.
Grabar Kitaroviç tha gjithashtu se disa nga figurat publike që Pupovaç kishte përmendur si objektiva të kërcënimeve ishin njerëz “që provokojnë, irritojnë dhe madje ofendojnë pjesën më të madhe të publikut kroat”.
Ajo i akuzoi ata se janë tallur me përpjekje e luftës së viteve 1991-1995 në Kroaci dhe në këtë mënyrë kanë mohuar “idenë e shtetit kroat, duke krijuar atmosferë tensioni, përjashtimi dhe intolerance”.
Ajo këmbënguli gjithashtu se “fyerjet ndaj ndjenjave kombëtare të popullit kroat” nuk mund të shihen si “akte performance”, “liri gazetareske dhe artistike”, apo “satirë”.
Në mbyllje të letrës së saj, Grabar Kitaroviç tha se njerëzit, emrat e të cilëve u përmendën nga Pupovaç duhet të “veprojnë siç duhet në të ardhmen” që të mos shkaktohen më fyerje të tjera.
Por Pupovaç tha se raporti më i fundit të Këshillit Kombëtar Serb, publikuar në qershor vitin e shkuar, provoi se intoleranca dhe dhuna ndaj serbëve në Kroaci u përkeqësua në 2014.
![Festues në një koncert nacionalist në Knin në gusht 2015. Foto: BIRN.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Flares-all-around-1-533x400.jpg)
Ai tha se ky trend ka vazhduar në 2015, siç do të tregohet në një buletin që do të publikohet nga këshilli në javët e ardhshme. Vitin e shkuar ishte 20-vjetori i Operacionit Stuhia të fitores së ushtrisë kroate kundër rebelëve serbë, me një paradë ushtarake dhe ceremoni në qytetin jugor të Knin, ku u dëgjuan thirrje dhe këngë anti-serbe.
Dejan Joviç, një profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb, tha se mesazhi dhe toni i letrës së Grabar Kitaroviçit dërguar Pupovaçit ishin “shumë zhgënjyese”.
“Ajo nuk e ka shfrytëzuar rastin për të mbrojtur në mënyrë të qartë e nivelin e të drejtave të pakicave dhe lirinë e fjalës. Në vend të kësaj, presidentja e relativizoi në mënyrë të pazakontë të gjithë problemin,” tha ai për BIRN.
Grabar Kitaroviç tha në letrën e saj për Pupovaç se edhe kushërinjtë e saj në Rijekë kishte marrë kërcënime, duke u përpjekur të tregonte sesi edhe kroatët po shënjestroheshin njësoj si serbët.
“Ajo nuk e pranoi plotësisht seriozitetin e çështjes,” tha Joviç, duke shtuar se kishte shqetësime edhe për shkak të një deklarate të bërë para një viti nga përfaqësuesit e të gjitha grupeve të pakicave etnike të vendit dhe zyra e qeverisë për pakicat kombëtare.
Ai paralajmëroi se një atmosferë intolerance mund t’i bëjë pakicat të largohen nga Kroacia.
Dua të theksoj se numri i përfaqësuesve të pakicave kombëtare po bie vazhdimisht, këto janë trendët. Ekziston rreziku që ata (pakicat kombëtare) të mos mbijetojnë aspak,” tha ai.
Në censusin e Kroacisë të vitit 1991, kur vendi ishte ende zyrtarisht pjesë e Jugosllavisë, serbët numëronin 581,663 ose 12.1 për qind të popullsisë.
Në vitin numri i ra në 186,633 ose 4.36 për qind. Në përgjithësi, numri i qytetarëve kroatë nga minoritetet etnike ra në të njëjtën periudhë nga 21.9 në 9.6 për qind të popullsisë së përgjithshme.
Në letrën e saj, Grabar Kitaroviç kritikoi gjithashtu gazetën e Këshillit Kombëtar Serb “Novosti”, e cila financohet nga buxheti i shtetit, se ka botuar një material që është “fyese ndaj himnit kombëtar” dhe nuk mund të konsiderohet si satirë.
Ajo i referohej një rishkrimi satirik të himnit nga Nikola Bajto, një gazetar i “Novosti”, kënga e të cilit “Our Dear Howitzer” satirizoi militarizimin e pretenduar të shoqërisë kroate dhe krimet e luftës të pa ndjekur penalisht të kryera gjatë dhe pas Operacionit Stuhia.
Bajto i tha BIRN se ai mendon se letra e Grabar Kitaroviç ishte “një manifest i totalitarizmit”.
Ai tha se një vazhdim i sugjerimit të zv/kryeministrit Tomislav Karamarko të bërë majin e shkuar, përpara se partia HDZ e qendrës së majtë të fitonte zgjedhjet, se sapo të vinte në pushtet “kushdo mund të mendojë [farë të dojë në dhomën, oborrin dhe shtëpinë e tij, por sigurisht jo në publik”.
“Presidentja madje ka thelluar këtë mendim, duke cituar se kushdo që mendon ndryshe dhe e shpreh publikisht është duke provuar shumicën dhe janë ata që kanë shkaktuar sulmet, fyerjet dhe fjalën e urrejtjes”, tha Bajto.
“Ajo nuk e përdori mundësinë të lehtësojë gjërat, por përkundrazi i dha (njerëzve që nxitën urrejtjen dhe dhunën) një stimul,” tha ai.