![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Turqi-shperthimi-na-Ankara-1.jpg)
Një samit i planifikuar mes liderëve të BE-së dhe Turqisë mbi krizën e migrantëve është anuluar pasi Turqia u tërhoq për shkak të shpërthimit vdekjeprurës në Ankara.
![Një makinë e përfshirë nga flakët në Ankara, pas shpërthimit të një makine bombë që vrau 28 persona. 17 shkurt 2016. Foto: Beta/AP.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Turqi-shperthimi-na-Ankara-2-300x213.jpg)
Kryeministri i Turqisë Ahmet Davutoglu u tërhoq nga bisedimet mbi migrantët parashikuar për të enjten në Bruksel, pasi një makinë bombë në kryeqytetin turk, Ankara, vrau 28 persona.
Austria i kishte thirrur liderët europianë për një takim në Bruksel ku shpresonin të bindnin Turqinë të binte dakord për një marrëveshje ku shtetet e BE-së do të pranonin një numër të kufizuar refugjatësh nëse Turqia merrte mbrapsht migrantët e refuzuar nga shtetet europiane.
Kërkesa urgjente për një zgjidhje nxitet nga frika se në pranverën e këtij viti do të rritet numri i të mbërriturve nga zonat e luftës së Lindjes së Mesme, teksa vendet europiane ende kërkojnë për një qasje të unifikuar për krizën.
Shtetet anëtare të BE ndërkohë kanë zbatuar zgjidhjet e tyre për t’i dhënë fund krizës – përfshirë ngritjen e gardheve me tela me gjemba.
Disa liderë europianë, përfshirë kancelarin gjermane Angela Merkel, shpresonin të mbyllnin marrëveshjen me Ankaranë përpara një samiti me liderët e BE-së të enjten.
Mediat në Ballkan po spekulojnë rreth lëvizjeve të ardhshme të BE-së në lidhje me krizën e refugjatëve.
BE-ja dyshohet se do të mbyllë kufirin për hyrjen e refugjatëve nga 1 marsi, siç raportoi e përditshmja Danas në Beograd, duke cituar burime anonime nga Komisioni Europian.
Në një fazë e hershme e planit të ri, BE-ja pritet t’i mbyllë dyert refugjatëve nga Iraku dhe Afganistani dhe më pas të kthejë njerëzit e larguar nga Siria.
Të mërkurën, Kroacia ktheu 200 migrantë në Serbi, duke e nxitur Beogradin të reagojë duke thënë se nuk do të pranojë më njerëz që kthehen nga shtetet e BE-së në territorin e vet.
Mundësia që Europa mund të mbyllë kufijtë plotësisht për migrantët ka zemëruar Greqinë, ndërsa ministri i migracionit Yannis Mouzalas ka paralajmëruar se kjo mund të nxisë një “krizë të madhe humanitare” në vendin e tij dhe nuk do ta ndalojë fluksin e migrantëve.
Ai i tha të përditshmes gjermane Handelsblatt se e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund valës së refugjatëve në Europë është t’i jepet fund luftës civile në Siri.
Ministri grek reagoi pasi Austria lajmëroi rregullat e reja që kufizojnë numrin e azilkërkuesve nga 90,000 në vitin e shkuar, në 37,500 për 2016.
Athina ka frikë se kufizimi i ri do të izolojë në Ballkan refugjatët.