![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/cokollatat-mars.jpg)
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaroi se pas kryerjes së verifikimeve të nevojshme dhe inspektimeve në terren, çokollatat e kompanisë Mars në Shqipëri nuk përmbajnë plastikë dhe nuk përbëjnë rrezik për shëndetin.
![Çokollatat e kompanisë Mars | Foto nga : Beta](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/cokollatat-mars-300x160.jpg)
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit lajmëroi të enjten se ky institucion është tërhequr nga bllokimi i të gjithë çokollatave të kompanisë amerikane “Mars” (Snickers, Milky Ways, Mars) për shkak se në tregun shqiptar nuk qarkullojnë produkte të rrezikshme me përmbajtje plastike.
“Nga verifikimet e bëra prej Inspektorëve të Drejtorisë Rajonale të AKU-së në Tiranë, pranë kompanisë distributore “Interbrands”, rezultoi se, të tri produktet në fjalë, nuk kanë lidhje me çokollatat e rezultuara me probleme në Holandë, pasi Snickers, Mars, Milky Way që importohen në Shqipëri nga kjo kompani prodhohen në Poloni,” tha AKU në një deklaratë për shtyp.
Institucioni anuloi një vendim të mëparshëm që bllokonte këto lloje çokollatash me datë skadence 19.06.2016 dhe 08.01.2017, duke u bazuar te një shkresë zyrtare të ardhur në adresë të kompanisë shqiptare nga prodhuesi.
“Shkresa zyrtare e kompanisë amë thotë se Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia nuk janë të rrezikuara nga këto produkte, pasi sasitë që tregtohen në këto vende janë të prodhuara në Poloni dhe jo në Holandë”, thuhet në deklaratë.
Kompania Mars filloi tërheqjen e katër llojeve të çokollatave Snickers, Mars, Milky Way dhe Bounty nga tregu botëror, pas dyshimeve se këto produkte të prodhuara në Holandë përmbanin sasi të plastikës. Deri tani kompania ka tërhequr produetet e prodhuara në Holandë nga 55 vende.
“Ne kryem verifikimet e duhura, pranë distributorit kryesor dhe AKU në Tiranë bëri verifikimet, bëri kontrollet pranë magazinave të distributorit dhe rezultoi, që nuk kishte asnjë lloj sasie, të produktit që mediat ndërkombëtare kanë diskutuar apo kanë përhapur si lajm” tha drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Isuf Shehu në një dalje për mediat.
Kontrollet në terren në Tiranë kanë gjetur një sasi të vogël çokollatash të markave në fjalë të prodhuara në Holandë dhe është kryer menjëherë bllokimi i tyre.
Ditën e mërkurë kompania në pronësi të rrjetit të marketeve “Conad” në Shqipëri, ka bërë në mënyrë vullnetare tërheqjen e këtyre produkteve nga tregu, pasi ishin prodhuar në Holandë.
Konsultuar me Sistemin RASFF (Rapid Alert System Food and Feed), që informon vendet e BE për sigurinë ushqimore, AKU lajmëroi se për Shqipërinë nuk kishte asnjë njoftim zyrtar për përmbajtje plastike në çokollatat e kompanisë Mars.
Sipas Autoritetit Kombëtar të Ushqimit po vazhdon puna në terren për verifikimin e sigurisë së konsumatorit, por ky institucion nuk saktësoi nëse janë kryer teste laboratorike për të zbuluar nëse prodhimet e Polonisë përmbajnë gjithashtu plastikë.