Beogradi i premtoi Gjykatës së Hagës se do të bashkëpunojë për çështjen e tre anëtarëve të Partisë Radikale Serbe të akuzuar për kërcënim të dëshmitarëve në gjyqin e liderit të tyre Vojisllav Sheshelit.
Sasa Obradoviç, përfaqësuesi ligjor i qeverisë serbe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, tha për BIRN se Beogradi i ka shkruar Gjykatës së Hagës duke i premtuar se do të bashkëpunojë në lidhje me çështjen e tre radikalëve të akuzuar të cilët kërkohen për mospërfillje të akuzave të ngritura ndaj tyre.
“I premtova Gjykatës së Hagës se çështja do të trajtohet në Serbi sipas Ligjit për Bashkëpunim me Gjykatën e Hagës të cilin Serbia e ka nënshkruar,” tha Obradoviç.
“Çështja fillimisht do të diskutohet gjatë një seance të qeverisë dhe më kanë thënë se kjo do të ndodhë shumë shpejt,” shtoi ai.
Pasi të diskutohet nga qeveria, çështja do t’i përcillet Gjykatës së Lartë të Beogradit, ku një gjyqtar do ta shqyrtojë atë në përputhje me Ligjin për Bashkëpunim me ICTY-në, tha Obradoviç. Të akuzuarit më pas do të dërgohen në Hagë për seanca dëgjimore nëse gjyqtari serb vendos në favor të kësaj.
Tre zyrtarët e Partisë Radikale Serbe- Vjerica Radeta, Petar Jojiç dhe Jovo Ostojiç – akuzohen se kanë kërcënuar dy dëshmitarë të mbrojtur në gjyqin e Sheshelit për krime të dyshuara lufte në Bosnje, Kroaci dhe Serbi.
Ata akuzohen gjithashtu se i kanë bërë shantazh dëshmitarëve të mbrojtur dhe u kanë ofruar atyre ryshfete nga 500 euro për të mos dëshmuar në gjyqin e Sheshelit.
Më herët këtë muaj, trupi gjykues i ICTY-së e akuzoi Beogradin se ka dështuar të bashkëpunojë sepse nuk ka arrestuar Radetën, Ostojiçin dhe Jojiçin.
Kryetari i trupit gjykues, Alfons Orie, urdhëroi Beogradin të dërgojë “një raport çdo dy javë ku të përshkruajë me detaje veprimet që qeveria e Serbisë po merr për të përmbushur detyrimet e saj dhe arrestimin e të akuzuarve”.
Por Beogradi reagoi me zemërim ndaj deklaratës së gjykatësit Orie dhe kryeministri serb Aleksandër Vuçiç i dërgoi një letër proteste ICTY-së duke kërkuar që gjykata e OKB-së ta trajtojë Beogradin me më shumë respekt.
Shesheli u lejua të rikthehej në Beograd në nëtor 2014 pasi iu dha lirimi i përkohshëm nga ICTY-ja për arsye njerëzore për t’u kuruar nga kanceri.
Pas disa vonesash kontroversiale, vendimi në çështjen kundër tij është caktuar të merret më 31 mars dhe Gjykata e OKB-së i ka kërkuar atij të kthehet në paraburgim në Hagë.
Shesheli ka refuzuar të kthehet vullnetarisht, por autoritetet serbe nuk e ka arrestuar atë, duke cituar si arsye gjendjen e tij të dobët shëndetësore.
Sipas Ligjit të Serbisë për Bashkëpunim me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë, Beogradi s’është i detyruar të përmbushë të gjitha kërkesat e Gjykatës së Hagës. Qeveria mund të mohojë çdo kërkesë nëse mendon se ajo shkel sovranitetin ose sigurinë kombëtare të Serbisë.
Një nga zyrtarët e akuzuar të Partisë Radikale, Vjerica Radeta, ka thënë disa herë se ajo nuk do të shkonte kurrë me dëshirë në Hagë. Vetë partia ka bërë gjithashtu të njëjtën deklaratë.