![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/15235902009_5d137f06de_b.jpg)
Konflikti ukrainas në rajonet lindore dhe më pas autonomia antikushtetuese e tyre, i detyroi gazetarët të shpërnguleshin në zona të sigurta të vendit dhe t’ia fillonin nga e para, duke lënë pas gjithçka kishin për të mos bërë kompromise me vërtetësinë e lajmit.
![Lufta në Ukrainë. Foto: ivbogdan.com/Flickr.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/15235902009_5d137f06de_b-600x400.jpg)
Kur Victoria Kryat, një gazetare e re nga qyteti Krasny Luch në rajonin Luhansk erdhi në Kiev në gusht të vitit 2014, ajo kishte në xhep 300 grivnas (12 dollarë). Ish-vendi i saj i punës, një kanal televiziv në gjuhën ukrainase i quajtur Luch, kishte rënë në duart e luftëtarëve pro-rusë.
“Fillimisht, grupe të ndryshme ushtarake vinin dhe na kërkonin t’i transmetonim”, kujton ajo.
“Më pas burra ta armatosur mësynë zyrën tonë, që ishte kryesisht staf femëror dhe na thanë se po fshihnim anëtarë të Pravyi Sektor [një parti politike ukrainase e krahut të djathtë]. Ata me gjasa kishin urdhër të kontrollonin të gjithë median.” Shumica e kolegëve të saj u larguan nga kanali dhe u zhvendosën në pjesë të tjera të Ukrainës.
Dy vite kanë kaluar që kur protestat Euromaidan në Kiev rrëzuan presidentin Viktor Yanukovych në shkurt 2014. Ajo që pasoi ishte një nga vitet më të dhunshme në historinë aktuale ukrainase. Të armatosurit pro-rusë morën kontrollin e Gadishullit të Krimesë, ndërsa në rajonin lindor Donbas, grupet separatiste e deklaruan Donetskun dhe Luhanskun si republika të pavarura.
Si rezultat, në qytetet e Luhanskut dhe Donetskut, disa media u detyruan të mbylleshin, t’i zhvendosnin zyrat në territor të kontrolluar nga qeveria ose të bënin kompromis me pavarësinë e tyre editoriale. Aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe konflikti ushtarak në pjesën lindore të vendit çoi në sulme, censurë dhe kërcënim të gazetarëve dhe mediave.
Sipas Institutit të Mas Informacionit me bazë në Kiev, numri i shkeljeve të lirisë së shtypit në vitin 2014 u rrit me 50 për qind krahasuar me 2013. Ky ishte gjithashtu një vit kur gazetarët ukrainas, në përpjekje për t’u larguar nga konflikti ushtarak dhe kërcënimi profesional, u zhvendosën brenda për brenda dhe u detyruan të fillonin nga e para në qytete të tjera.
“Duhet të zgjidhja mes lirisë dhe punës dhe jetesës në Krime. Mu desh ta filloja jetën nga zero në Kiev,” thotë gazetari Serhiy Mokrushyn. Ndërsa punonte në Qendrën për Gazetari Investigative në Simferopol, ai dhe kolegu i tij Vladlen Melnykov u rrëmbyen nga të ashtuquajturat forca të vetëmbrojtjes në qershor 2014. Mokrushyn është tani prezantues i një programi të pavarur televiziv Hromadske.Krym, që transmeton online, në kabllor dhe në televizion satelitor. Programi ka nxjerrë në dukje shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve etnike të tartarëve nga Krimeja.
“Tani ne nuk mund të raportojmë vetëm lajme, ne duhet të jemi një platformë mes shoqërisë civile dhe qeverisë,” thotë ai. Gazetari nga Krimeja, njeh gjithashtu nevojën për një informacion të pavarur dhe analitik në territorin e aneksuar. Shumica e mediave ukrainase, përfshirë uebsajtin Hromadske janë të bllokuar në Krime, duke krijuar një vakum mediatik që mbushet nga lajmet e njëanshme dhe propaganda pro-ruse.
Sot ka 1.7 milionë njerëz të zhvendosur brenda vendit nga Krimeja, Donetsku dhe Luhansku sipas Ministrisë së Çështjeve Sociale. Njerëzit nga Krimeja filluan të largoheshin përpara referendumit jo kushtetues për aneksimin e gadishullit në mars 2014, ndërsa ata nga rajonet lindore u larguan nga shtëpitë pas përshkallëzimit të konfliktit mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve pro-rusë në maj 2014. Sipas një vlerësimi nga Unioni Kombëtar i Gazetarëvë në Ukrainë mund të ketë deri në 600 punonjës media të zhvendosur ku shumica vinin nga rajoni Donbas dhe të tjerët nga Krimeja.
Reporterja Maria Ivanova punonte për kanalin rajonal Donbas në Donetsk. Skenari ishte i ngjashëm me atë të Luhanskut. Pas disa vizitave nga persona të armatosur, drejtuesit e kanalit ndaluan ardhjen e punonjësve në punë për sigurinë e tyre. Pjesë të stafit u zhvendosën ën Dnipropetrovsk.
“Ne menduam se kjo do të vazhdonte për disa muaj,” thotë ajo. “Pastaj pamë se asgjë nuk po ndryshon dhe se ato territore po bëhen zona të ngrira konflikti. Fillova të shqetësohem sepse nuk kisha një vend të mirë për të jetuar unë dhe familja.” Kontrata e Marias mbaroi më vonë dhe asaj iu desh të jetonte nga përfitimet e papunësisë për pesë muaj përpara se të fillonte punë përkohësisht në një kanal tjetër.
Përveç gazetarëve individualë, edhe redaksitë që dikush kishin bazë në Donets, Luhansk dhe Krime janë bërë media në mërgim në vendin e tyre. Ata luftojnë të arrijnë audiencë në një territor që nuk është më pjesë e Ukrainës. “Asnjë nuk po flet për nejrëzit në territoret e pushtuara. Mediat privatejanë ndaluar. Radion është mënyra më e lehtë për të mbërritur te ata. Media shtetërore e kontrolluar nga [pro-rusët] transmeton koncerte dhe festime. Njerëzit kanë nevojë për një informacion kritik sepse jeta nuk po përmirësohet,” thotë Serhiy Harmash, kryeredaktor i uebsajtit OstroV të Ukrainës lindore.
Shumë të zhvendosur kanë lënë akoma familjen në territoret e pushtuara. Ndërsa disa gazetarë munf të kthehen për shkak të futjes në listë të zezë nga separatistët, disa ende përpiqen të vizitojnë të afërmit e tyre.
Kur Victoria Kryat u kthye në Krasny Luch për të vizituar të ëmën për herë të parë në një vit, ato e kaluan shumicën e kohës brenda, nga frika për sigurinë e tyre. Ndërsa Victoria ia doli të kthehej në Kiev, gazetarja e ish-Luch ende ngacmohet në median sociale. “Ata më quajnë spiunia e Kievit”, thotë ajo. “Duket për të qeshur, por është gjë e trishtueshme. Ne bëmë shumë për qytetin dhe të dhemb kur e sheh si na trajtojnë ata tani”.