![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Gjykata-e-Larte.jpg)
Përveç pjesëmarrjes në organizatë kriminale, trafikim të lëndëve narkotike, shfrytëzimit të prostitucionit, akuzohet dhe për pastrim parash. Gjykatat shqiptare bllokuan ekstradimin e tij në Itali.
![Gjykata e Lartë. Foto: LSA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Gjykata-e-Larte-600x360.jpg)
Prokuroria e Rrethit të Durrësit nuk heq dorë nga kërkesa për të gjykuar aktivitetin kriminal të Dashamir Gjokës, i njohur si biznesmen në qytetin e Shijakut.
Pasi ka dështuar në proceset gjyqësore për ekstradimin e tij në Itali, ku është dënuar për veprën penale të “Bashkëpunimit kriminal me qëllim emigracionit klandestin”, prokuroria e Durrësit ka ngritur një akuzë të re ndaj Gjokës, atë të të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria ka dërguar për gjykim shtetasit Dashamir Gjoka, duke e akuzuar për pastrim parash dhe krijim të asetesh pasurore me financime që rrjedhin nga aktiviteti kriminal në Itali, si shfrytëzim të prostitucionit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, vepra penale të kryera gjatë viteve 2002-2003. (Kliko këtu për të parë njoftimin e Prokurorisë)
“Pas veprimtarisë kriminale në Itali, i pandehuri Gjoka ka investuar në prona të paluajtshme në Shqipëri, duke ndërtuar kompleksin tregtar dhe godinën e shërbimit. Prokuroria e Durrësit konstaton se ai i ka investuar në ndërtimin e këtyre dy objekteve me qëllim me qëllim fshehjen e mbulimit të natyrës, burimit të paligjshme të këtyre parave”-thuhet në njoftimin zyrtar..
Prokurorisë së Durrësit i rezulton se i pandehuri Gjoka ka kryer disa herë veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, në formën e fshehjes apo mbulimit të natyrës së pasurisë, pasi nëpërmjet parave të përfituara nga krimet e kryera ka ndërtuar deri në vitin 2006, duke u shndërruar në biznesmen në qytetin e Shijakut.
Krimet e Gjokës
Në shator të vitit 2015, Prokuroria e Krimeve të Rënda zbardhi për herë të parë dosjen kriminale të një prej biznesmenëve më të “paprekshëm”, në Shijak , atë të Dashamir Gjokës.
Në Shqipëri Gjoka kishte ndërtuar një perandori të tërë biznesi, kryesisht në ndërtime dhe shërbime, por sipas dosjes gjyqësore italiane, ai nuk ishte veçse një kriminel i akuzuar për “Dhunë seksuale”, “Akte të turpshme”, “Grabitje në rrethana rënduese”, “Mbajtje armësh zjarri” e deri tek “krijimi i organizatës kriminale që synon shfrytëzimin e prostitucionit”. Dy gjykata në Itali e kanë e kanë gjetur fajtor Gjokën për kryerjen e këtyre veprave penale.
Gjykata e Apelit në Milano, më 07.10.2009, e ka dënuar me 7 vjet e 6 muaj burgim. Sipas dosjes penale, Gjoka del si drejtues i organizatës që vepronte në Milano e Puglia, dhe që merrej që me futjen në mënyrë klandestine në territorin e shtetasit Italian të grave me origjinë nga Evropa Lindore, me qëllim prostituimi në formën e detyrimit, favorizimin dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Episodet për të cilat Gjoka është deklaruar fajtor dhe dënuar, kanë ndodhur në periudhën 1999 deri në vitin 2003.
Ndërsa vitin 2013, ndaj tij lëshohet një urdhër arresti nga Gjykata e Monxas, Itali pasi e kishte gjetur fajtor për kryerjen e disa veprave penale.
Mbi bazën e këtyre vendimeve të gjykatave Italiane, Gjoka u arrestua në qershor të vitit 2013, për efekt ekstradimi, por më pas u la i lirë, pasi gjykata shqiptare deklaroi se nuk qe në gjendje të konfirmonte identitetin e tij.
E vetmja mënyrë ligjorë për prokurorinë për të vazhduar hetimet dhe dënimin e Gjokës ishte ligji “Antimafia”.
Prokuroria e Durrësit i delegon aktet e procedimit për hetimin pasuror ndaj Gjokës, Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila është kompetente për zbatimin e ligjit “Antimafia”. Në bazë të këtij ligji, personi nën hetim duhet të justifikojë ligjshmërinë e burimit të pasurive të tij.
Pasuria e Dashamir Gjokës, niste nga komplekse shërbimi si kafe, motel, supermarket, disko lojëra fati me sipërfaqe ndërtimore prej 6949 m2, i njohur si “Kompleks Shërbimesh “Gjoka”, e deri tek sipërfaqe të konsiderueshme toke të ndodhura në zona turistike, si Qerret dhe në Shijak.
Në nëntor të 2015 Gjykata për Krime të Rënda vendosi sekuestrimin e mbi 11 mijë metra katrorë truall dhe ndërtime, përfshirë biznese, si edhe për rreth 15.300 metra katrorë tokë bujqësore, të cilat sipas prokurorisë , burimi i finacimit të tyre rrjedh nga veprimtaria kriminale e kryer në Itali.
Gjykatat që refuzuan ekstradimin e Gjokës
Në mbrëmjen e 6 qershorit policia shqiptare arrestoi Dashamir Gjokën, pasi ndaj tij kishte një urdhër arresti ndërkombëtar dhe një vendim dënimi në masën e sigurisë, arrest me burg. Arsyeja e arrestimit të Gjokës ishte për llogari të drejtësisë italiane.
Gjykata e Durrësit, dy ditë më pas, duke vlerësuar ligjmërinë e arrestimit, vendosi si masë sigurimi atë të “detyrimit për paraqitje në policinë gjyqësore të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 14.00”.
Pas kërkesës së mbërritur nga Ministria e Drejtësisë Italiane, prokuroria i drejtohet sërish Gjykatës së Rrethit të Durrësit, duke kërkuar ekstradimin e Gjokës, kërkesë kjo që refuzohet me argumentin se është e pabazuar në prova e në ligj.
Gjykata e Durrësit e ka gjetur të pa mbështetur në ligj dhe pa prova bindëse esktradimin e Gjokës, pasi akuzohej se ka ngritur skemën e trafikimit të qenieve njerëzore ndërkohë që ndodhej në masën e sigurisë “arrest me burg” në Itali.
“Kërkesa rezulton e pambështetur në prova dhe ligj pasi nga vendimi i formës së prerë të gjykatës së Milanos rezulton se faktet, për të cilat është dënuar ky shtetas në Itali kanë ndodhur në periudhat Janar-Nëntor 2000, kohë, që sipas vendimit të Gjykatës së Lartë ka qenë me masë sigurimi “arrest në burg”. Ekstradimi i shtetasit Gjoka nuk mund të bëhet pasi në këtë rast parimi i përgjithshëm i akteve ndërkombëtare për ekstradimet, i të dhënave të rëndësishme të fajësisë, si kusht është cenuar”, – thuhet në vendim.
Ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Durrës më datë 22 nëntor të vitit 2013.
Prokuroria bëri rekurs në Gjykatën e Lartë duke insistuar në ekstradimin e Gjokës.
Më 7 maj të vitit 2014, trupa gjyqësore e përbërë nga gjyqtarët Edmond Islamaj kryesues dhe anëtarë, Shkëlzen Selimi, Artan Zeneli, Tom Ndreca dhe Guxim Zenelaj, vendosi si të ligjshëm vendimin e dy shkallëve më të ulëta për çështjen Gjoka.
Në argumentet e saj, Gjykata e Lartë shtoi se Gjoka nuk mund të ekstradohet pasi vendimet e fajësisë të marra nga drejtësia italiane janë shpallur në mungesë të tij.
Për të dalë në këtë konkluziun gjyqtarët e Apelit i referuan referohen rastit “Sejdoviç” në Gjykatës Europiane kundër Italisë.
Në çështjen Sejdovic kundër Italisë gjykata është shprehur se kur një person i akuzuar për një vepër penale nuk është njoftuar personalisht, nuk mund të prezumohet që i pandehuri ka hequr dorë nga e drejta për të marrë pjesë në gjykim dhe për t’u mbrojtur.
Po kështu, kjo trup gjyqësore, në argumentet që jep për refuzimin e kërkesës së ekstradimit të Gjokës janë dhe “defektet” e sistemit të drejtësisë Italiane. Gjykata e Apelit ka argumentuar se një nga arsyet që nuk ka lejuar ekstradimin është se drejtësia Italiane nuk ka një mekanizëm të rishikimit të vendimeve të formës së prerë.
“Mungesa e një mjeti për rishikimin e vendimeve të formës së prerë të dhëna në mungesë të të pandehurit, nuk është e parashikuar akoma nga rendi juridik i shtetit kërkues dhe kjo do ta vendoste shtetasin në shkelje të parimit të procesit të rregullt”, – thuhet në vendimin që i vuri kapak çështjes së ekstradimit në Itali të Dashamir Gjokës, ku është dënuar me 7 vjet heqje lirie. (Kliko këtu për vendimin e Gjykatës së Lartë)