![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Dubrovnik_-_Croatia.jpg)
Kroacia po planifikon dërgimin e policisë në kufirin me Malin e Zi në rast se refugjatët fillojnë të hyjnë në Shqipëri nga kufiri i bllokuar grek dhe vazhdojnë në veri për në Mal të Zi dhe Kroaci.
![Qyteti i Dubrovnikut. Foto: Wikimedia.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Dubrovnik_-_Croatia-600x388.jpg)
Pas spekulimeve në rritje se vala e refugjatëve është drejtuar për në Shqipëri nga Greqia, Kroacia po përgatitet të parandalojë hyrjen e çdo refugjati nga pika më veriore me Malin e Zi.
Ministri i brendshëm kroat i konfirmoi BIRN se aktualisht janë vetëm dy ose tre policë në Prevllaka, gadishulli që shënon pikën më jugore të Kroacisë në kufirin me Malin e Zi.
Ministri shtoi se Prevllaka parashikohet si një bazë për forcat më të mëdha policore që do të dërgohen nëse fluksi i migrantëve vjen nga Mali i Zi.
Prevllaka është në rajonin e Dubrovnikut, quajtur “perla e Adriatikut”, një simbol turistik global i Kroacisë.
![Refugjatë në kufirin e Maqedonisë. Foto: Meri Jordanova/BIRN](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/macedonia-migrants-006-517x400.jpg)
I gjithë rajoni bregdetar i Dalmacisë, me plazhet e paprekura, ishujt e bukur dhe detin e pastër, është motori i turizmit kroat, që përllogaritet se sjell 17 për qind të PBB vjetore.
Ndërsa vizitonte Berlinin të mrkurën, ministri kroat i turizmit Anton Kliman tha se “nuk do të kishte nj valë të re refugjatësh në Dalmaci”, siç raportuan disa media gjermane dhe austriake.
“Nuk ka frikë për hapje të rrugëve të reja, por nëse diçka e papritur ndodh, megjithëse mendoj se nuk do të ndodhë, ju siguroj se do të dimë si ta zgjidhim problemin”, përfundoi ai.
Sipas agjencive turistike dhe hoteleve në Kroaci, pronotimi ose akomodimi për verën, piku i sezonit turistik në vend, po shkon më mirë se në vitet e fundit.
Që kur të martën Sllovenia prezantoi masa më strikte në kufirin me Kroacinë, kjo ngjarje çoi në një efekt domino të mbylljes së kufijve të itinerarit të Ballkanit për refugjatët e Lindjes së Mesme.
Megjithëse Shqipëria nuk ka qenë pjesë e itinerarit të Ballkanit deri më tani, ekziston frika se dhjetëra mijëra refugjatë të ngecur në Greqi, mund të drejtohen në kufirin shqiptar.
Nga Shqipëria refugjatët do të mund të kalojnë në Mal të Zi dhe prej andej të hyjnë në jug të Kroacisë. Gjithashtu ekziston mundësia që me gomone dhe anije refugjatët të çohen në Itali, rrugë që ka funksionuar më parë.
Aktualisht janë vetëm 320 refugjatë në kampin Slavonski Brod në Kroacinë lindore, që janë kthyer nga Austria dhe Sllovenia dhe që do të deportohen në Serbi. Sipas policisë kroate nuk ka refugjatë që presin në kufijtë me Kroacinë.