![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Politicians640.jpg)
Shumë zyrtarë lokalë po ndryshojnë përkatësinë e tyre politike në përpjekje për të maksimizuar shanset për rizgjedhje në zgjedhjet që pritet të zhvillohen në qershor.
![Shumë politikanë vendorë në Rumani po ndryshojnë parti para zgjedhjeve | Foto: youtube](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Politicians640-300x225.jpg)
Politikanët vendorë dhe mbështetësit e tyre po ndryshojnë përkatësinë politike në masë gjatë javëve të fundit me tendencë që të bashkohen me partitë në pushtet në lëvizje që analistët mendojnë se synojnë të ruajnë pozicionin e tyre pas zgjedhjeve të qershorit.
Një zyrtar i tillë, Emanoil Savin, kryebashkiak i qytezës turistike të Bistenit në Rumaninë e jugut, njoftoi dorëheqjen e tij javën e kaluar nga partia Liberale Kombëtare e qendrës së djathtë, dhe iku te partia e majtë Socialdemokrate, e cila është aktualisht partia kryesore në parlament.
Savin deklaroi se partia e tij e mëparshme kishte “probleme organizative”. Ai u pasua nga rreth 1,800 anëtarë partie që e ndoqën atë te partia e re.
Analistët thonë se arsyeja kryesore për ndryshime të tilla është interesi personal.
“Ndërsa zgjedhjet vendore po afrohen, kryebashkiakët dhe zyrtarët e tjerë janë të interesuar për të rritur shanset për rizgjedhje,” tha analisti politik Cristian Parvulescu.
“Të qenit anëtar i një partie në pushtet nënkupton burime më të mëdha financiare ose së paku, akses në burime financiare,” shtoi ai.
Zyrtarët vendorë në Rumani zakonisht marrin më shumë para nga qeveria qendrore nëse janë anëtarë të partisë në pushtet.
Një studim i kohëve të fundit zbuloi se fondi rezervë për emergjenca i qeverisë dhe programi kombëtar për zhvillimin e projekteve vendore qenë mjetet kryesore të përdorura nga qeveria e Rumanisë mes viteve 2012 dhe 2015 për shpërndarjen e fondeve në mënyrë arbitrare për administratat vendore, duke mbështetur kryebashkiakë nga aleanca në qeveri dhe duke nxitur migrimin politik mes partive.
Qeveria e udhëhequr nga socialdemokratët ka shpërndarë 7.5 miliardë lei (1.6 miliardë euro) nga Fondi Rezervë i qeverisë për pushtetin vendor në mënyrë diskriminuese, duke financuar kryebashkiakët nga partitë e qeverisë, thuhet në raportin e studimit të qendrës kërkimore Expert Forum.
“Përfituesit kryesore qënë kryebashkiakë që i përkasin partisë socialdemokrate si dhe partive të tjera të koalicionit qeverisë, por edhe disa kryebashkiakë të pavarur,” thuhet në raport.
Analistët nga Expert Forum vërejtën gjithashtu se ka një diznivel të stërmadh mes fondeve të dhëna për minibashkitë e ndryshme të kryeqytetit Bukuresht. Për shembull, kryebashkiaku i minibashkisë 3 mori 55 herë më shumë para nga buxheti i shtetit se sa minibashkia e varfër 2.
“Nuk ka proces të drejtë në shpërndarjen e fondeve për minibashkitë e Bukureshtit që të mund të gjenerojë një shpërndarje të tillë të parave,” deklaroi ekspertja antikorrupsion Laura Stefan.
Përveç kësaj, shumica e parave që iu dhanë nga Fondi Rezervë autoriteteve vendore ose 57 për qind e totalit, u dha përgjatë vitit 2014, i cili qe vit elektoral.
Rumania, e cila aktualisht drejtohet nga një qeveri teknokratësh, pritet të zhvillojë zgjedhje për pushtetin vendit në qershor dhe zgjedhje parlamentare në fund të këtij viti.