![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Aleksandar-Vucic-Trepca-kosovo-by-BETA-800.jpg)
Policia e Kosovës konfirmoi se një granatë dore shpërtheu në pallatin e sportit në Zubin Potok të dielën ku kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, do të mbante një fjalim. Nuk u raportuan të plagosur.
![Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç. Foto: BETA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Aleksandar-Vucic-Trepca-kosovo-by-BETA-800-300x225.jpg)
Vuçiç po bën fushatë për zgjedhjet serbe, që do të mbahen më 24 prill. Shpërthimi ndodhi disa orë pasi ai mbërriti në veriun e Kosovës të populluar nga serbët.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës Besim Hoti konfirmoi sulmin, duke thënë se raportimet fillestare sugjerojnë se një granatë dore u hodh në pallatin e sportit dhe disa gëzhoja plumbash nga një armë automatike u gjetën.
“Shpërthimi dyshohet të jetë shkaktuar nga një granatë dore në 3 të mëngjesit dhe një makinë u dëmtua,” tha Hoti.
Hoti tha se njësi të policisë po patrullonin zonën dhe prokuroria ka nisur një hetim.
Zyrtarët e policisë thanë se vizita e kryeministrit serb vazhdoi sipas planit.
Qeveria e Kosovës i dha Vuçiçit lejen për këtë vizitë dhe policia e Kosovës u përfshi në mbrojtjen e sigurisë së tij, sipas Hotit.
“Nuk do të frikësohem nga bombat,” tha Vuçiç në Leposaviç, një nga disa komunat me shumicë serbe.
Marko Djuriç, drejtor i Zyrës serbe për Kosovën tha: “Nuk ka dyshim se ky është një sulm shumë i rrezikshëm, një sulm terrorist”.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Vuçic gjithashtu vizitoi Mitrovicën dhe kompaninë e minierës Trepçe, fati i të cilës është një nga problemet më të nxehta të dialogut të ndërmjetësuar nga BE mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai i tha vendasve se qëndrimi i Beogradit për statusin e Kosovës nuk ka ndryshuar. “Ne nuk do ta njohim Kosovën,” tha ai.