ISIS do ta shtojë aktivitetin e vet në hapësirën kibernetike dhe shtetet e perëndimit, sidomos SHBA-ja duhet të jetë gati me strategjinë dhe fuqinë njerëzore më efektive për ta kthyer fitoren nga ana e saj.
Edhe ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kryejnë bombardime ajrore në Irak dhe Siri, shënjestra e tyre, Shteti Islamik (ISIS), mund të jetë duke përgatitur hakmarrje në një front tjetër. Duke e çuar betejën në hapësirën kibernetike, ISIS do të mund të fitojë shumë avantazhe të luftës asimetrike – vetëm nëse SHBA organizohet për të kundërshtuar përpjekjet e grupit.
Pengesat për t’i hyrë luftës kibernetike janë shumë të ulëta, edhe për aktorët joshtetërorë. Edhe nëse ISIS nuk ka kapacitet për të kryer sulme kibernetike, ka pak gjasa ta shohë të vështirë të rekrutojë ndjekësit e vet për t’i dhënë ekspertizë; në të shkuarën, terroristë të tjerë dhe organizata kryengritëse, përfshirë Al Kaedën, e kanë bërë këtë. Nëse çmimi është i duhuri ka mjaft mercenarë kibernetikë, simpatizantë dhe të tjerë profesionistë të lirë të gatshëm.
Ekspertët kanë paralajmëruar se ISIS mund të sulmojë infrastrukturën e pambrojtur apo banesat private. Qindra mijëra sisteme kontrolli industriale dhe tregtare, përfshirë Internetin e Gjërave që po rritet me shpejtësi, po lënë zona të gjera të jetës së përditshme të dobëta përpara përçarjes. Dhe akoma më shqetësues është paralajmërimi nga Iniciativa e Kërcënimit Bërthamor, një OJF e përkushtuar te forcimi i sigurisë globale, që shumë ndërtesa civile dhe ato ushtarake bërthamore nuk janë të mbrojtura siç duhet nga sulmet kibernetike.
Në fund të vitit të shkuar, kërkuesit e sigurisë kompjuterike dhe të rrjetit zbuluan, pa na befasuar, se ISIS ishte aktiv në të ashtuquajturin uebi i zi. Këto uebsajte, që janë të padukshme për motorët e kërkimit dhe të aksesueshëm përmes softuerëve të specializuar, janë shpesh parajsa për të fiksuarit pas pornografisë së fëmijëve, drogës dhe produkteve të tjera të paligjshme, përfshirë shërbimet e piratimit dhe softuerët me viruse. Ky zhvillimi ishte shenja e parë që ISIS po kërkon në mënyrë aktive të zhvillojë kapacitetin kibernetik që mund ta përdorë edhe nëse humbet luftën në terren.
Deri më tani, terroristët kanë mbetur pas homologëve të tyre kriminelë në miratimin e valutave virtuale si për shembull Bitcoin. Por kjo do të ndryshojë nëse vendet perëndimore janë të suksesshme në luftën kundër burimeve aktuale të financimit të ISIS, përfshirë trafikimin e naftës dhe zhvatjen. Në fakt, ISIS dyshohet se ka përfshirë dhurimet në Bitcoin.
Grupi gjithashtu po e përdor uebin e errët për të rekrutuar dhe shpërndarë propagandë te aspirantët për xhihadistë. Për audiencat simpatizante, një nxitje online mund të mjaftojë ndonjëherë për të nxitur veprime dhune. Kjo është veçanërisht e vërtetë për individët që janë radikalizuar tashmë, si Syed Farook dhe Tashfeen Malik, burrë e grua që hapën zjarr në një festë pushimi në San Bernardino, Kaliforni, në dhjetor.
Ndoshta më shqetësuese nga perspektiva operacionale është mundësia që ISIS të përdorë rrjetin e errët për t’u koordinuar me operativët për të planifikuar dhe hartuar një sulm madhor në Europë ose SHBA. Terroristët kanë kërkuar të qëndrojnë një hap përpara forcave të ligjit dhe shërbimeve të inteligjencës; ndaj ISIS mund të pritet të kërkojë softuerë që inkriptojnë adresat IP të përdoruesit dhe trafikun e internetit përmes një seri serverësh anonimë.
Sigurisht, hyrja e ISIS në hapësirën kibernetike krijon mundësi që agjencitë e inteligjencës dhe forcat ligjzbatuese të perëndimit të kryejnë survejime, por nëse ato do ta zhvillojnë këtë kapacitet. Siç ISIS ka provuar se nuk është i gjithpushtetshëm në fushëbetejë, mund të luftohet po ashtu edhe në hapësirë kibernetike. Për të luftuar efektivisht në këtë domein pakufij, SHBA-ja duhet të punojë nga afër me homologët ndërkombëtarë. Por ka hapa që duhet t’i marrë vetëm.
Së fundmi, Sekretari i Mbrojtjes Ashton Carter nxiti Komandën Kibernetike të SHBA – organ i ushtrisë i dedikuar ndaj operacioneve kibernetike – të “luftojë intensivisht” kundër ISIS. Por SHBA do të ishte e zgjuar po të konsideronte zgjerimin e luftës duke rekrutuar vullnetarë civilë.
Kur vjen puna për sulmet kibernetike, shifrat kanë rëndësi. Vende të tjera, si Irani, Kina dhe Koreja e Veriut gjithashtu mburren me ushtritë e mëdha kibernetike, me dhjetëra mijëra të rekrutuar që mund të monitorojnë, gjurmojnë, sulmojnë dhe asgjësojnë kërcënimet ndaj vendit.
Në SHBA, Trupa Kibernetike Civile e Miçiganit është vetorganizuar për t’iu përgjigjur sulmeve kibernetike. Duke kopjuar këtë program, në shkallë kombëtare, kjo mund të rrisë kapacitetet e SHBA. Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka marrë në konsideratë krijimin e një “rezerve kibernetike” të ekspertëve kompjuterikë dhe një raport nga Booz Allen Hamilton, një firmë e teknologjisë dhe e sigurisë, sugjeroi se përpjekje të ngjashme po bëheshin për të krijuar më shumë ushtarë kibernetikë për SHBA në rast sulmi.
Për të prevaluar kundër ISIS, SHBA dhe ushtarët e saj kibernetikë do të duhet të jenë në gjendje të reagojnë shpejt, ndërsa drejtohet nga një strategji gjithëpërfshirëse. Lufta kundër ISIS online do të kërkojë një përgjigje të vazhdueshme dhe të adaptuar. Gjithashtu do të kërkojë fuqinë njerëzore që do ta bëjë të mundur.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Online Fight Against ISIS