Kompania ofshore mund të përdoret si për qëllime të ligjshme ashtu edhe të paligjshme. Por më së shumti, fakti është që përdoret për qëllime të paligjshme. Duke fshehur pronarin e vërtetë, kompania ofshore mund të investojë një sasi parash që në dukje janë të ligjshme. Mënyra më e zakonshme e kryerjes së kësaj pune, sipas zbulimeve të skandalit të Dokumenteve të Panamasë, qe blerja e pronave luksoze në Londër në emër të kompanive të regjistruara në parajsa fiskale. Ato mund të përdoren gjithashtu për të bërë pagesa të paligjshme. Në vend që të paguhet një çantë me para nën dorë, një biznesmen mund të korruptojë një zyrtar duke i shitur atij për një vlerë fiktive një kompani ofshore që disponon asete me një vlerë të caktuar. Rasti i rrjetit të kompanive ofshore të Fazlliç dhe Lazareviç është ndoshta më i njohuri. Në një rast tjetër, një biznesmen austriak që fitonte kontrata për ndërtim rrugësh në Shqipëri, pati paguar 1.4 milionë euro te një kompani e regjistruar në Qipro, pronari i së cilës nuk dihet, por që dyshohet se pagesa qe një ryshfet.