Kriza e Maqedonisë mori një kthesë për keq të mërkurën në mbrëmje kur opozita tha se nuk do të merrte pjesë në zgjedhje, pasi parlamenti u shpërnda vetëm me praninë e shumicës qeverisëse.
Lideri i opozitës së Social Demokratëve, SDSM, Zoran Zaev, ka thënë se partia e tij nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të caktuara për 5 qershor, duke këmbëngulur se reformat kyçe, përfshirë ato në media për të siguruar mbulim objektiv të zgjedhjeve, si dhe pastrimin e listave zgjedhore, nuk ishin arritur.
“Pa zgjedhje të lira nuk ka liri. Një person, një votë. Ky parim u sigurua nga marrëveshja Przino [e ndërmjetësuar nga BE-ja]. Nikola Gruevski po e shkel këtë marrëveshje,” tha Zaev në një konferencë për shtyp të mërkurën në mbrëmje.
“Ne i qëndrojmë fjalës sonë. Në emër të demokracisë, social demokratët nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje hipokrite,” shtoi ai.
Ai foli pasi parlamenti i Maqedonisë u shpërnda të mërkurën në mbrëmje me praninë vetëm të partive qeverisëse, duke i hapur rrugën zgjedhjeve me gjasë në 5 qershor.
“Ne i qëndrojmë kërkesës sonë për listë të pastër zgjedhore dhe rregullim të medias. Kjo është baza për zgjedhje të lira dhe demokratike në Maqedoni. Ka gjithnjë mënyra për të luftuar për demokracinë dhe lirinë,” tha Zaev, duke lënë të kuptohet se protestat e rrugës do të rikthehen nga opozita.
Partia qeverisëse e VMRO DPMNE ruajti heshtjen. Por selia e partisë në Shkup mbajti një festë dhe makina me flamuj dhe njerëz të gëzuar parakaluan në qytet.
“Parlamenti u shpërnda. Maqedonia do të votojë. Qytetarët do të fitojnë!” deklaroi deputeti Ilija Dimovski nga VMRO DPMNE.
Shumica parlamentare vazhdoi me shpërndarjen e kuvendit pa verifikuar dorëheqjen e tenderuar të ministrave të opozitës në qeverinë e përkohshme.
Ministrat socialdemokratë për punët e brendshme dhe punët e shtetit, si dhe tre zëvendësministra, të gjithë dhanë dorëheqjet përpara shpërndarjes së parlamentit.
Ndërkohë, më herët të mërkurën, anëtarët e Komisionit Zgjedhor Shtetëror nuk ranë dakord nëse detyra e pastrimit të listës zgjedhore mund të përfundojë në kohë për zgjedhjet e 5 qershorit.
Kreu i Komisionit, Aleksandar Chichakovski, tha se nuk do të nënshkruajë listën zgjedhore në qoftë se edhe një votues në të ishte problematik ose i pakontrolluar.
Kryetari i parlamentit, Trajko Veljanovski, tani duhet të caktojë zyrtarisht datën e zgjedhjeve.
Kriza në Maqedoni sillet rreth pretendimeve të opozitës se qeveria Gruevski ka qenë përgjegjëse për përgjimin e paligjshëm të mbi 20.000 njerëzve, si dhe krime të tjera. Gruevski i ka mohuar akuzat si një përpjekje nga jashtë për të destabilizuar vendin.