![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/hashim-thaci-kosova.jpg)
Parlamenti u qëllua me gurë ndërsa presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi u betua brenda godinës. Partitë opozitare e bojkotuan ceremoninë.
![Presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi. Foto: Atdhe Mulla](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/hashim-thaci-kosova-533x400.jpg)
Hashim Thaçi u betua të enjten si presidenti i ri i Kosovës për mandatin pesëvjeçar në një seancë speciale të parlamentit, të cilën opozita e bojkotoi.
“Si president do të jem garantues i kushtetutës dhe ligjeve, një faktor unifikues politik dhe civil dhe një përfaqësues i të gjithë shtetasve pa dallim etnie, feje apo gjinie,” tha ai.
Thaçi, ish-kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në qeverisje, PDK mori postin e presidentit pas një shkëmbimi të shkurtër ceremonial me kryetaren në largim të shtetit, Atifete Jahjaga.
“Falenderoj presidenten Jahjaga për punën e jashtëzakonshme gjatë pesë viteve të saj si presidente,” tha Thaçi ndërsa i dha dorën Jahjagës.
Partitë opozitare bojkotuan ceremoninë dhe teksa Thaçi lexonte betimin, gurë u hodhën ndaj fasadës së asamblesë, ku një prej tyre theu një xham.
Asambleja kaloi nëpër tre raunde zgjedhjesh më 26 shkurt për të zgjedhur Thaçin me një shumicë të thjeshtë pasi partia LDK e aleatit në koalicion, kryeministrit Isa Mustafa, i tha deputetëve të saj të votonin në favor të kreut të ri të shtetit.
Përpara zgjedhjes si president, Thaçi ishte zv.kryeministër dhe ministër i punëve të jashtme në kabinetin e Mustafës. Ai gjithashtu ishte kryeministër i Kosovës nga 2008 në 2014.
Inagurimi i presidentit të ri u planifikua për të premten, kur zyrtarë të lartë dhe personalitete nga jashtë pritet t’i bashkohen ceremonisë.