![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/fence640.jpg)
Hungaria po merr hapat e parë për të ndërtuar një barrierë përgjatë kufirit me Rumaninë në përpjekjen më të fundit për të kufizuar hyrjen e refugjatëve dhe migrantëve.
![Hungaria është gati të ndërtojë një gardh të ri me Rumaninë. Foto: stock photography](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/fence640-533x400.jpg)
Hungaria ka filluar të bëjë matjet për një gardh të ardhshëm përgjatë kufirit me Rumaninë për të parandaluar refugjatët dhe migrantët nga hyrja në vend, sipas raportimeve të medias.
Javën e shkuar, specialistët vunë shenja të ndryshme në terren në një distancë prej 50 kilometra nga njëri-tjetri. “Duket se do të instalohet një gardh me tela me gjemba këtu së shpejti,” tha Antal Erzenyi, kryetari i fshatit Bedo në kufirin Rumani-Hungari.
Vendet fqinje kanë një kufi prej 250 kilometrash.
Budapest nuk ka konfirmuar zyrtarisht lajmin por më parë ka tënë se mund të ndërtohet një gardh “të nesërmen” nëse është i nevojshëm.
Vitin e shkuar, Hungaria ndërtoi gardhe në kufijtë e saj me Serbinë dhe Kroacinë në një përpjekje për të bllokuar një rrugë të mundshme për refugjatët dhe migrantët nga Lindja e Mesme.
Në një zhvillim të lidhur, muajin e shkuar Rumania pranoi 15 refugjatët e parë sipas një skeme rilokimi të BE-së. Ata janë akomoduar në qytetin lindor të Galatit, pranë kufirit me Moldavinë.
Në 2016 dhe 2017, Rumania ra dakord të pranonte 6205 refugjatë.
Rumania nuk është goditur nga vala e refugjatëve dhe migranëve që kaluan përgjatë Ballkanit në Gjermani dhe Europën veriore.
Vetëm 913 njerëz aplikuan për azil në Rumani vitin e shkuar, 12 për qind më shumë se 2014.