![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/tahiri-shperthim-farmacia.jpg)
Prokuroria njoftoi se hetimet ndaj disa të dyshuarve si autorë të bombës, së shkurtit 2015, referuar si “Dosja Gjuta”, kanë dështuar për mungesë provash dhe se ngjarja mbetet zyrtarisht pa autor të njohur nga autoritetet.
![Forca të policisë, duke vëzhguar farmacinë e babait të ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, pasi është dëmtuar nga një shperthim eksplozivi | Foto nga Gent Shkullaku/LSA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/tahiri-shperthim-farmacia.jpg)
Një bombë që shkatërroi farmacinë Bashkim Tahirit, babait të Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri në shkurt 2015, rrezikon të mbetet mister i pazbardhur pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftoi se hetimet ndaj të dyshuarve për këtë ngjarje po mbyllen pa rezultat.
Bomba, e cila shpërtheu më 10 shkurt 2015, u interpretua si një presion i paprecedent i krimit ndaj ministrit të brendshëm, u shoqërua me hetime intensive, dhe me akuza të shumta politike. Dy javë më vonë, më 26 shkurt, Policia e Shtetit kreu një operacion të gjerë duke arrestuar katër të dyshuar dhe duke shpallur në kërkim tre të tjerë.
“Strukturat e Hetimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim dhe bashkërendim me Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë, pas një pune intensive dhe profesionale, arritën në sigurimin e provave të cilat çojnë në dyshime të arsyeshme për përfshirjen e disa personave në aktet e shpërthimit me tritol dhe të mbetur në tentativë,” deklaroi më 26 shkurt Artan Didi, në atë kohë, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Një natë më parë qenë arrestuar si të dyshuar për “Vepra me qëllime terroriste”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, Lumjan Matmuja, Ernest Gjuta, Kamber Bruk, Erjon Dule, si dhe qenë shpallur në kërkim Vladimir Gjuta, Baftjar Bruka.
Por sot, (13 prill 2016), një vit më pas, që të gjithë të dyshuarit pritet të lirohen nga këto akuza për mungesë provash.
“Gjatë zhvillimit të hetimeve janë kryer një sërë veprimesh proceduriale, përfshirë edhe ekspertiza të specializuara në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, në përfundim të të cilave nuk u provua shkencërisht dhe nuk u siguruan fakte që të provonin përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se të arrestuarit ishin organizatorë dhe ekzekutorë të akteve të mësipërme”- thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjitshshme. (Kliko këtu për të parë njoftimin).
Po kështu, organi i akuzës njofton se ka vendosur të pushojë procedimin penal ndaj shtetasve Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka, të dyshuar për veprat penale të “Veprave me qëllime terroriste”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Prokuroria argumenton se vendimi i pushimit të hetimit për këtë vepra të rënda kriminale është marrë pasi nuk siguruan fakte që të provonin se të arrestuarit ishin organizatorë dhe ekzekutorë të akteve të vendosjes së sasive të tritolit në kryeqytete.
“Gjatë zhvillimit të hetimeve janë kryer një sërë veprimesh proceduriale, përfshirë edhe ekspertiza të specializuara në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, në përfundim të të cilave nuk u provua shkencërisht dhe nuk u siguruan fakte që të provonin përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se të arrestuarit ishin organizatorë dhe ekzekutorë të akteve të mësipërme”-thuhet në njoftimin zyrtar. Po kështu grupi i hetimit të dosjes “Gjuta” nuk ka mundur të grumbullojë të dhëna konkrete për motivin se përse këta shtetas mund të kryenin veprat penale për të cilat dyshoheshin.
E ndërsa prokuroria ka mbyllur hetimet, ndaj fisit “Gjuta”, ngjarjet që tronditen kryeqytetin vazhdojnë të mbeten pa autor. Ndërkohë ndryshimi i rrjedhës së hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, nuk i sjellë lirin Vladimir Gjutës dhe Baftjar Brukës. Ata do të vazhdojnë të jenë nën masën e sigurimit ”arrest në burg”, të vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës, për vepra të tjera penale, të cilat janë nën hetim nga Prokuroria e Kukësit.
Vladimir Gjuta, 35 vjeç, lindur në Kukës e banues në Tiranë, është i skeduar si një person me preçedent kriminal. Ai është arrestuar disa herë nga Policia në kohë të ndryshme për “Kundërshtim me dhunë të Punonjësve të Policisë dhe Funksionarëve që kryejnë detyra shtetërore”. Ndaj tij, vijojnë hetimet nga Prokuroria e rrethit të Kukësit, për organizim dhe vendosje të lëndëve eksplozive ndaj shtetasit me iniciale A.T, në Durrës, si dhe është i dyshuar për “Vrasje mbetur në tentativë” , ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2013. Po kështu, edhe shtetasi, Baftjar Bruka, 24 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, është nën hetim për veprën penale “Vrasje me dashje në bashkëpunim, mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ngjarje këto për të cilat ai akuzohet në vitin 2013.