![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/640x480-hemp-.jpg)
Një iniciativë ligjore po përgatitet për të lejuar fermerët shqiptarë të kultivojnë “kanabisin industrial”, ashtu si dikur, përpara se kërpi të rikategorizohej si një narkotik.
![Kërpi. Foto: Wikimedia.org](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/640x480-hemp--300x225.jpg)
Një deputet i qeverisë në Shqipëri po përgatit një amendament të kodit ligjor që do të lejojë kultivimin e kërpit, ose të të ashtuquajturit “kanabis industrial”, në vend.
Fshatrat e Malësisë së Madhe në Shqipërinë veriore kanë rritur kërpin prej vitesh për ta përdorur në industritë e tekstilit dhe naftës, por nuk e bënë më në vitin 2000 kur Shqipëria e klasifikoi kërpin si narkotik.
Autoritetet shkatërruan plantacione të mëdha kërpi, të mbjella fillimisht me ndihmën e një organizate britanike të zhvillimit, duke rezultuar në akuza dhe gjyqe.
Policia u detyrua të kompensojë fermerët vendas me 120,000 dollarë për dëmtim të të mbjellave ndonëse 57 burra nga zona përballen ende me gjyq për kultivim narkotikësh.
Deputeti Paulin Sterkaj, i cili po drejton ndryshimin e ligjit, i tha BIRN se ndalimi i rritjes së kërpit për arsye industriale duhet të ndalojë.
“Njerëzit e zonës meritojnë një mënyrë për të jetuar dhe toka e tyre mund të prodhojë kërp të mirë që mund ta shesin dhe të nxjerrin përfitim prej tyre,” tha Sterkaj.
Ai tha gjithashtu se rritja e kërpit ishte një traditë e zonës për shekuj dhe me ndihmën e shtetit, fermerët mund ta eksportojnë dhe ta përdorin si një mjet të qëndrueshëm jetese sërish.
Sterkaj beson se nëse shteti mbikëqyr procesin, mund të mbahet lehtësisht nën kontroll.
“Policia ka frikë se kërpi do të keqpërdoret, por është koha të kuptojmë se kultivimi i tij do t’i mbajë fshatarët larg aktiviteteve të paligjshme. Kërpi do t’i japë të ardhura të mira,” argumentoi ai.
Sterkaj, që përfaqëson zonën e Malësisë së Madhe, thotë se ai ka miratimin e kryetarit të partisë së tij, liderit socialist dhe kryeministrit Edi Rama, për të formuar një grup ekspertësh për të punar mbi amendamentin.
Nëse ligji do të ndryshojë, të mbjellat do të lejohen të kenë një përqindje të lartë të tetrahidrokanabionolit, THC, që më parë konsiderohej e paligjshme.
Genti Guxho, që drejton departamentin e inxhinierisë tekstile në Universitetin e Tiranës, i tha BIRN se ligji shqiptar e vë limitin e lejueshëm të THC shumë poshtë.
Legjislacioni aktual në Shqipëri e konsideron çdo bimë që përmban një nivel THC-je më të lartë se 0.1 për qind një narkotikë. Në vendet si Kanadaja, niveli është 0.3 për qind.
“Ky limit i paarsyeshëm është rezultat i shtetit që u përpoq të gjejë një mënyrë për të eliminuar kultivimin e marijuanës në të shkuarën. Tani duhet ta ndryshojmë,” tha ai.
Kërpi dhe bimët e kanabisit janë të ngjashme por niveli i THC te kanabisi është më i lartë.
Gjatë periudhës komuniste, kërpi kultivohej, përpunohej në mënyrë profesionale dhe eksportohej nga Shqipëria. Fabrika e parë e kërpit u ndërtua në vend në vitin 1946 dhe u mbyll kur sistemi u rrëzua në vitet 1990.