![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/JualianSinanaj.jpg)
Dëshmitarët e drejtësisë, Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona i shpëtojnë dënimeve maksimale falë marrëveshjes me prokurorinë, ndërsa burgime të përjetshme kërkohen vetëm për kushërinjtë Mëhillaj.
![Vrasësi me pagesë, Julian Sinanaj, gjatë një seance në Gjykatën e Krimeve të Rënda | Foto nga : LSA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/JualianSinanaj-300x180.jpg)
Julian Sinanaj-autor i dyshuar i disa atentateve me pagesë dhe bashkëpunëtor i drejtësisë i shpëtoi burgimit të përjetshëm. Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi të enjten dënimin e Sinanajt me 35 vjet burg për 14 akuzat që rëndojnë mbi të, mes të cilave ekzekutime, atentate me tritol dhe akte të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Bashkëpunëtori i dytë i drejtësisë, Ndriçim Gjokona rrezikon të dënohet me 8 vjet burgim. Sipas pretencës së Prokurorisë, Gjokona akuzohet për gjashtë vepra penale.
Ndriçim Gjokona është bashkëpunëtor i drejtësisë që prej janarit të vitit 2014. Ai u pendua bashkë me shokun tjetër të bandës, Julian Sinanaj, e të dy pranuan të rrëfejnë një seri krimesh të ndodhura në Tiranë, Vlorë dhe Durrës përgjatë viteve 2012-2014.
Genis dhe Erjon Mëhillaj, dy kushërinjtë që sipas dëshmisë së Julian Sinanajt kanë luajtur rolin e urdhëruesve për disa nga atentatet rrezikojnë burgimin e përjeshëm. Gjatë seancës së të enjtes në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Prokuroria kërkoi 26 vjet burg për Marion Mitron, 11 vjet burg për Albin Mexhaj dhe 5 vjet burg për biznesmenin Ilir Karçini.
Shtatë të pandehurit akuzohen për vrasjen e Sokol Veizajt dhe Agron Çelës, atentatet me tritol kundër zyrtarëve Ardian Kollozi dhe Besnik Dervishaj si dhe planifikimin e eliminimeve për dy ndërtues nga Vlora dhe për biznesmenin e gazit në Tiranë, Pirro Bare.
Dëshmitë e Sinanajt dhe Gjokonës u kthyen në elementin kyç të hetimit për zbardhjen e krimeve të bujshme dhe izolimin e grupit të strukturuar kriminal. Nëpërmjet dëshmive të tyrë përpara prokurorëve, dy të penduarit, Sinanaj dhe Gjokona, i kanë servirur Prokurorisë të dhëna mbi nëntokën e krimit në qytetin e Vlorës dhe konvertimin në biznesmenë, të disa njerëzve me të kaluar të errët në këtë qytet.
Të penduarit rrëfyen gjithashtu motivet që qëndronin pas atentateve me pagesë, të cilat nisnin me konfliktet e pronësisë dhe shkonin deri tek konkurrenca në bizneset e mëdha në Shqipëri.
Para se të zbulohej aktiviteti i tyre kriminal, Erjon dhe Genis Mëhillaj njiheshin si biznesmenë ndërtimi, Marion Mitro si punonjës i Bashkisë së Vlorës dhe aksioner në ndërtime, ndërsa Ilir Karçini si biznesmen në tregun e gazit.
Sipas rrëfimit të Julian Sinanajt, katër nga tetë porositë që ai mori për atentate kishin të bënin me probleme pronësie apo konflikte të biznesit të ndërtimit në qytetin e Vlorës. Njëra prej porosive ishte vrasja e dy ndërtuesve të njohur në këtë qytet.
“Këta dy biznesmenë që më kërkuan t’i vrisja, kishin një konflikt për një rrugë që ndodhej në afërsi të pallateve që ndërtonin Mëhillajt. Unë nuk e pranova të kryeja këtë vrasje, pasi ende nuk më kishin paguar detyrimin që më kishin për vrasjen e Sokol Veizit,” thotë Sinanaj në dëshminë e tij.
Një tjetër akuzë në dosjen e krimeve të Julian Sinanajt është përgatitja e atentatit kundër Pirro Bares. Bare është biznesmeni më i madh i gazit në Shqipëri, ndërsa fuqizimi i tij i kishte shkelur në kallo Ilir Karçinit, një sipërmarrës në prag falimentimi.
“Më ka bërë një gol 500 mijë euro”, citon Sinanaj një pjesë të bisedës me Karçinin, mbi arsyet se pse ky donte të hiqte qafe Pirro Baren. Për këtë krim, Karçini akuzohet se pagoi 50 mijë euro, por anëtarët e bandës u arrestuan para atentatit të planifikuar.