![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Mac-President-Gjorge-ivanov-by-president.mk_.jpg)
Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov ka mohuar çdo transaksion financiar në kundërshtim me ligjin pasi opozita paraqiti dokumente që lidhin të afërmit e tij me një firmë në Panama.
![Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov. Foto: president.gov.mk](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Mac-President-Gjorge-ivanov-by-president.mk_-300x225.jpg)
Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka mohuar pretendimet se ai ose familja e tij kanë shfrytëzuar regjimet tatimore sekrete offshore në Panama për të fshehur pasurinë e tyre.
Kabineti i tij të dielën i përshkroi akuzat nga opozita e Social Demokratëve, SDSM, si një “përpjekje nëpërmjet gënjeshtrave dhe manipulimit për ta portretizuar familjen e Ivanovit, si pjesë e një bande kriminale”. Kabineti tha se presidenti ishte i gatshëm të përballej me këto akuza në gjykatë.
Të dielën, zëdhënësi i SDSM Petre Shilegov tha se pjesëtarë të afërt të familjes së Ivanovit janë të lidhur direkt me bizneset e regjistruara në Panama.
Shilegov paraqiti dokumente nga regjistri qendror maqedonas që sipas tij tregojnë se Saso Tonevski, kunati i presidentit, kishte marrëdhënie biznesi me firmën LIP Corp Panama dhe se LIP Corp ishte themelues i firmës maqedonase Delfino Travel Balkans.
“Vetëm disa ditë më parë, kur skandali [i të ashtuquajturave “Panama Papers”] për pastrimin e parave në Panama filloi të përhapej, Delfino Travel pushoi së ekzistuari dhe u fshi nga regjistri qendror maqedonas. Çfarë është duke fshehur familja e Ivanovit?” pyeti Shilegov.
Kabineti i Ivanovit nuk e mohoi ekzistencën e firmës në fjalë apo lidhjet e saj me familjen e presidentit, por tha se Delfino Travel ishte joaktiv dhe se nuk ishte përdorur për aktivitet të dyshimtë.
Kabineti i Ivanovit i bëri thirrje SDSM “të publikojë çdo transferim parash nëpërmjet kësaj firme dhe të zbulojë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë firmë, që është themeluar në Shkup dhe nuk bëri kurrë tregti”.
Në prill, mediat filluan të publikonin dokumente që zbulonin se si liderët botërorë, politikanët dhe të famshmi kanë shfrytëzuar regjimin e taksave offshore në Panama për të fshehur pasurinë e tyre.
Pretendimet e bëra në lidhje me presidentin e Maqedonisë vijnë në një kohë kur ai është nën presionin në rritje nga SHBA dhe BE për të tërhequr vendimin e tij të 12 prillit për të ndaluar ndjekjen penale të politikanëve të lartë të vendit dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Vendimi i diskutueshëm i Ivanovit ka shkaktuar protesta masive anti dhe pro-qeveritare. Kritikët e akuzojnë atë për minim të sundimit të ligjit dhe pengim të punës së Prokurorisë Speciale, që është e ngarkuar me hetimin e krimit të nivelit të lartë, kryesisht ndër radhët e liderëve të partive në pushtet.
Kriza në Maqedoni rrotullohet rreth pretendimeve të opozitës se qeveria e ish-kryeministrit Gruevski përgjoi rreth 20,000 qytetarë, si dhe për krime të tjera.
Presidenti Ivanov, që është në mandatin e tij të dytë u nominua si kandidat presidencial nga partia VMRO DPMNE e Gruevskit.