![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Panama-Papers.jpg)
Figurat e përfshira në skandalin e Panama Papers në Ballkan janë manjatë, ish-ambasadorë, politikanë, një bankier dhe disa mashtrues të dënuar të cilët kanë pasuri në parajsat fiskale.
Rezultate të njerëzve dhe kompanive të lidhura me vendet e Ballkanit u shfaqën në bazën e të dhënave të kërkueshme në internet të më shumë se 320.000 kompanive dhe trusteve offshore të rrjedhura nga firmë ligjore në Panama Mossack Fonseca, bërë publike nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë, ICIJ, të hënën.
Baza e të dhënave e publikuar nga ICIJ – që thekson faktin se njerëzit e përfshirë në listë nuk janë akuzuar për shkelje të ndonjë ligji – përfshin emrat dhe adresat e një vargu firmash dhe individësh nga i gjithë Ballkani që kanë shfrytëzuar në të kaluarën parajsat fiskale.
Shqipëria
Nëntëmbëdhjetë persona, gjashtë kompani dhe dy entitete offshore janë të lidhura me Shqipërinë në bazën e të dhënave.
Megjithatë disa prej tyre nuk janë shqiptarë, si Sulltan bin Jassin Al-Thani, kreu i familjes sunduese të Katarit dhe Sheiku Hamed Bin Hamed Al Hamed nga Abu Dabi.
Një emër i njohur shqiptar megjithatë është Ismail Mulleti, një biznesmen i cili është bashkëpronar i një kompanie që ka aktualisht një marrëveshje koncesionare të shumëkritikuar me qeverinë shqiptare për të vënë gjurmues kimik në karburant si masë për të parandaluar mashtrimin.
Bosnja
Baza e të dhënave e publikuar nga ICIJ zbuloi identitetin e katër shtetasve boshnjakë. Figurat më të shquara janë Nedim Uzunoviç, drejtori i kompanisë farmaceutike boshnjake Bosnaljek dhe Amel Kovaceviç, një ish-ambasador i Bosnjës në Kinë.
Uzunoviç, sipas dokumenteve, ka në pronësi aksionet e kompanisë në Serreta Investment Inc, e cila është regjistruar në Tel Aviv, Izrael, ndërsa Kovaceviç ka në pronësi aksione në Grupin Green Energy Ltd, regjistruar në Londër.
Kovaceviç konfirmoi për mediat boshnjake të hënën në mbrëmje se ai, së bashku me Edin Smajiç, një tjetër shtatas boshnjak, emri i të cilit është në bazën e të dhënave – dhe identiteti i të cilit mbetet ende për t’u konfirmuar – kanë regjistruar një kompani në Hong Kong pas përfundimit të mandatit të tij si ambasador i Bosnjes.
Kroacia
Sipas të dhënave të publikuar nga ICIJ, 38 persona lidhur me Kroacinë, përfshirë biznesmenë, sipërmarrës dhe menaxherë, kanë aksione në kompanitë offshore.
Këta individë, të gjithë kryesisht të panjohur për publikun, janë të punësuar ose kanë kompanitë e veta të specializuara në eksport dhe tregti, si dhe asgjësimin dhe riciklimin e mbeturinave.
Media janë ende duke kontrolluar identitetin e disa prej tyre, si për shembull të Zlatko Garaç, që besohet të jeton në Rumani, ku ai u qëllua dhe u plagos në vitin 2013.
Janë 20 entitete offshore të lidhura me Kroacinë, së bashku me katër ndërmjetës.
Maqedonia
Roland Zlatku, Slobodan Spasovski, Aleksandar Panovski dhe John Jonovski janë katër shtetas të Maqedonisë të përmendur në bazën e të dhënave Panama Papers.
Zlatku është i regjistruar si aksioner në kompaninë Eniston Development Corp, e regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanik, ndërsa Spasovski është i lidhur me kompaninë Fission Dev Ltd, e regjistruar në Sishel.
Panovski ka pranuar se zotëron Orient Oil & Gas Limited, e cila është e regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanik.
Sipas të dhënave, Jonovski, që jeton në Britani, është i lidhur me kompaninë falangë Capital Inc, gjithashtu e regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanikë.
Mali i Zi
Dy kompani nga Mali i Zi dhe dhjetëra individë kanë rezultuar në bazën e të dhënave të ICIJ.
Në të dalin emrat e Investment Corp dhe Trade Company Inc, e regjistruar në Sishel dhe Panama, por të lidhura me kompani të tjera offshore në Zvicër dhe Hong Kong.
Dy shtetas malazezë, Slobodan Peroviç dhe Branko Vujosheviç, kanë rezultuar gjithashtu në bazën e të dhënave, së bashku me disa të huaj që kanë kompani të regjistruara në Malin e Zi, edhe pse identiteti i tyre ende nuk është konfirmuar.
Rumania
Një total prej 109 personash dhe biznesesh të lidhura me Rumaninë janë përmendur në bazën e të dhënave, përfshirë politikanë, manjatë të mediave dhe kompani të energjisë, së bashku me tetë kompani të huaja dhe gjashtë ndërmjetësues.
Ndër emrat më të shquar është Sorin Ovidiu Vantu, një biznesmen dhe ish-manjati i medias rumune i cili ka në pronësi Realitatea Media, dhe që konsiderohej si një nga njerëzit më të pasur në Rumani para vitit 2010.
Në vitin 2012, ai u dënua me një vit burg për shantazh të ish-menaxherit të Realitatea Media dhe në vitin 2014, ai u dënua me dy vite burg për të ndihmë ndaj biznesmenit Nicolae Popa në rastin e falimentimit FNI.
FNI (Fondi Kombëtar i Investimit) ishte një skemë piramidale që shpërtheu në vitin 2000 dhe ku mijëra njerëz humbën kursimet.
Baza e të dhënave përfshin një ish-sekretar shteti në ministrinë e financave dhe ish-zëvendës presidentin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Ionut Costea, i cili është aksionar në disa kompani offshore.
Ajo gjithashtu përfshin Corneliu Iacobov, një ish-politikan nga partia Social Demokrate dhe ish-pronar i rafinerisë Rafo Onesti, i cili u dënua me shtatë vjet burg për mashtrim në vitin 2012.
Serbia
Tetëmbëdhjetë biznesmenë dhe menaxherë nga Serbia që kanë kompani në parajsat fiskale janë përmendur në bazën e të dhënave, si dhe nëntë entitete offshore.
Midis tyre janë biznesmenët Srdjan Saper, Zoran Drakuliç, Miodrag Kostiç dhe të tjerë.
Dokumentet thonë se biznesmeni Drakuliç ka vepruar si një delegat për një kompani që dyshohet se se ka ndihmuar nxjerrjen e parave nga Serbia.
Vuk Hamoviç, një tregtar i njohur i energjisë elektrike, është përmendur gjithashtu në të dhënat e Panama Papers si partner i Drakuliç në biznes. Të gjithë i kanë mohuar shkeljet e mundshme.
Kosova nuk është përfshirë në bazën e të dhënave të Panama Papers.