![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/EU-US-ambassadors-to-Macedonia-Aivo-Orav-Jess-Baily-by-BIRN.jpg)
Diplomatët e BE-së dhe SHBA-së në Maqedoni kanë filluar sërish bisedimet në distancë me liderët maqedonas përpara mbërritjes së të dërguarit special gjerman, Johannes Haindl.
![Ambasadorët e BE dhe SHBA, Aivo Orav dhe Jess Baily | Foto: BIRN](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/EU-US-ambassadors-to-Macedonia-Aivo-Orav-Jess-Baily-by-BIRN-533x400.jpg)
Diplomatët e SHBA dhe BE kanë konfirmuar se janë në kontakt me zyrtarë të qeverisë dhe opozitës në Maqedoni – por nuk kanë bërë të ditura detajet e bisedimeve në vazhdim.
Jozyrtarisht, burime diplomatike i thanë BIRN se ata kanë dështuar të afrojnë partinë qeverisëse VMRO DPMNE dhe Social Demokratët e opozitës, SDSM.
Pengesa kryesore thuhet të jetë falja e presidentit dhe data e zgjedhjeve të qershorit. “Ndërsa opozita këmbëngul në tërheqjen e faljes, partia në pushtet nuk është dakord – dhe gjithashtu insiston në datën e zgjedhjeve të 5 qershorit”, i ka thënë një burim diplomatik BIRN në kusht anonimiteti.
Diplomatët po përpiqen t’i hapin rrugën një marrëveshjeje para ardhjes së Johannes Haindl, diplomati gjerman i emëruar javën e kaluar si i dërguar i posaçëm për Maqedoninë.
Haindl pritet të arrijë në Maqedoni këtë javë, pas konsultimeve në Berlin, Uashington dhe Athinë.
Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav, të martën theksoi nevojën për të arritur një zgjidhje për krizën politike, duke shtuar se vendimi i presidentit muajin e kaluar për të falur 56 politikanë të lartë dhe bashkëpunëtorët e tyre ishte një pengesë e madhe për progres në bisedime.
Ndërkohë, ambasadori amerikan, Jess Baily, ka konfirmuar për mediat se “ne mbetemi në kontakt me palët”.
Partia qeverisëse VMRO DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski ka kohë deri të mërkurën në mesnatë për të vendosur nëse do të këmbëngulë mbi datën e zgjedhjeve të 5 qershorit.
Tre partitë e tjera kryesore kanë hedhur poshtë datën e votimit në qershor dhe nuk kanë pranuar të dorëzojnë listat për anëtarët e komisioneve zgjedhore, të cilat janë të ngarkuara me zbatimin e zgjedhjeve.
Kreu social demokrat Zoran Zaev të martën tha se zgjedhjet në 5 qershor nuk do të mbahen edhe në qoftë se partia në pushtet ka dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Zgjedhor.
Megjithatë, ai tha se “një datë e kushtëzuar [për zgjedhjet] mund të jetë një zgjidhje” , duke shtuar se këto kushte duhet të jenë reformat e sugjeruara nga BE dhe SHBA.
Këto janë pastrimi i listën zgjedhore, reformat në media për të siguruar ekuilibrin dhe mekanizma për të ndaluar presionin e partive politike mbi votuesit, si dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore.
Ai tha se opozita mbetet e hapur për diskutim në formimin e një “qeverie të gjerë teknike të shpëtimit kombëtar”.
Kriza në Maqedoni mori një kthesë për keq në 12 prill kur presidenti Gjorge Ivanov në mënyrë të menjëhershme ndërpreu hetimet penale në 56 politikanët dhe bashkëpunëtorët e tyre, shumica e të cilëve vijnë nga radhët e partisë VMRO DPMNE.
Dekreti i presidentit dhe ngulmimi i VMRO DPMNE për zgjedhjet e parakohshme më 5 qershor, pa përfundimin e reformave që do të siguronin lirinë dhe ndershmërinë e tyre, shkaktoi protesta masive në Shkup dhe në qytete të tjera.