![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/bursa-cmimi-i-naftes.jpg)
Donald Trump së fundmi sugjeroi se Shtetet e Bashkuara duhet të negociojnë riblerje të pjesës më të madhe të borxhit të vet me një normë uljeje (diskont) – në efekt, një falimentim i pjesshëm mbi triliarda dollarë detyrime, propozim që synon të reduktojë barrën e shërbimit të borxhit për taksapaguesit. Në të vërtetë, shumë pak mënyra efektive si kjo ekzistojnë për të shkatërruar pozicionin dhe ndikimin global të Amerikës.
![Një tregtar reagon ndaj rënies së fortë të bursave më 6 gusht 2015 në Bursën e Nju Jorkut. Çmimi i naftës pësoi luhatje të forta përgjatë javëve të fundit duke shënuar minimumin në 40 dollarë për fuçi nga 50-60 dollarë për fuçi që ka qenë përgjatë muajve të fundit. (AP Photo/Richard Drew)](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/bursa-cmimi-i-naftes-300x180.jpg)
“Ta bëjmë Amerikën madhështore sërish,” thotë Donald Trump, kandidati i supozuar i Partisë Republikane për President të SHBA-ve. Ai e përmbledh politikën e tij të jashtme me sloganin “Amerika e Para”: Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë çdo gjë që është e mundur për të ruajtur dominimin e vet gjeopolitik dhe mallkuar qofshin miqtë apo armiqtë. Pra cili është kërcënimi më i madh ndaj Primacisë së SHBA-ve? Kina? Rusia? ISIS?
Përgjigjja është asnjë nga më të mësipërmet. Kërcënimi i vërtetë ështe vetë Trump, një pazarxhi i konsumuar (së paku në mendjen e vet). Por ‘arti i pazarit’ që duket se ai ka në mendje për SHBA-në duket se e merr fjalën ‘art’ në kuptimin e vet të drejtpërdrejtë: vizioni i tij mbi marrëdhëniet ekonomike dhe financiare të SHBA-së me botën është produkt i një imagjinate të sëmurë.
Mendoni deklaratat e tij mbi mbi rritjen e vazhdueshme të borxhit të qeverisë federale të SHBA-së. Trump së fundmi sugjeroi që SHBA-të duhet të negociojnë me kreditorët e vet riblerjen e pjesës më të madhe të këtij borxhi me një ulje në çmimin nominal – në efekt, një falimentim i pjesshëm në triliona dollarë detyrime, me synimin për të reduktuar barrën e shërbimit të borxhit për tatimpaguesit.
Trump mburret me argumentin se ai bëri të njëjtin lloj pazari kur kazinotë e tij hynë në telashe. Ai ndërtoi një perandori tregtare me borxhe dhe pastaj thjeshtë iku kur biznesi i tij u rrëzua, siç bëri në Atlantic City. Pra pse të mos bëjë të njëjtin lloj pazari me perandorinë Amerikane?
Komentatorët më të informuar reaguan me të drejtë të tmerruar. Edhe vetë ideja e një falimenti mbi të përkeqësojë vlerësimin e borxhit të qeverisë dhe të rrisë koston për huamarrjen. Kostot e shërbimit të borxhit do të rriten dhe në fund taksapaguesit do të vuajnë barrë edhe më të rëndë.
Akoma më keq, roli i dollarit si një monedhë ndërkombëtare mund të vihet në rrezik, gjë që për rrjedhojë mund të dëmtojë rëndë rolin e Amerikës si superfuqi. Popullariteti i dollarit në të gjithë botën i mundëson SHBA-së të projektojë fuqinë e vet nëpër botë – të mbajë baza ushtarake në mbi 100 vende, të mbajë luftëanijet në lundrim nga Mesdheu në Paqësor dhe të ndihmojë në mbrojtjen e aleatëve nga Europa në Lindje të Mesme, Japoni e Kore. Në praktikë, Amerika paguan për të gjithë këto thjeshtë duke prodhuar më shumë para, të cilat sigurohen falë besimit se shumica e këtyre dollarëve do të mbeten jashtë vendit.
Një pjesë e vogël e dollarëve të emetuar janë në formën e kartëmonedhave. E matur si vlerë, rreth 60-70 për qind e kartëmonedhave të emetuara nga Rezerva Federale janë në qarkullim të përhershëm jashtë Shteteve të Bashkuara. Gjithsesi shumica janë investuar në pretendime financiare të denominuara në dollarë – mbi të gjitha, bono apo bonde të emetuara nga Thesari i SHBA-ve. Për sa kohë investitorët e huaj dhe bankat qendrore janë të lumtur dhe vijojnë të shtojnë borxhin amerikan, Shtetet e Bashkuara mund të vijojnë të shpenzojnë gjithçka që nevojitet për të mbajtur angazhimet e veta të shumta nëpër botë, si dhe të financohë deficitet e veta të buxhetit dhe të tregtisë.
Përfitimet e siguruara nga fakti që dollari po mbahet si monedha kryesore rezervë e botës përbëjnë një “privilegj të jashtëzakonshëm” për të cilin, ministri i financave i Francës në vitet 1960, Valéry Giscard d’Estaing, ankohej vazhdimisht. Për shkak se dollari vijon të jetë tërheqës si magazinë për vlerat, SHBA-ja vijon ta gëzojë këtë privilegj edhe sot.
Po pse të huajt kanë kaq shumë uri për dollarë? Analistët financiar janë të prirur ta shpjegojnë këtë në termat e tregjeve financiare shumë të zhvilluara të Amerikës, të cilat premtojnë likujditet të pakrahasueshëm. Sasia e bondeve shtetërore që ndërrojnë duart në SHBA është më shumë se gjysmë trilioni dollarë në ditë. Askund tjetër nëpër botë tregjet nuk kanë kaq thellësi, gjerësi e qëndrueshmëri. Investitorët mund të mbështeten në një shkallë jashtëzakonisht të lartë shkëmbimesh dhe sigurie kapitale.
Por kjo është vetëm gjysma e historisë – dhe nuk është as gjysma më e rëndësishme. Dollari gëzon avantazhin unik si një parajsë. Në botën e financave, ku krizat nuk janë të pazakonta, investitorët kanë nevojë për një vend të sigurt për të vendosur paratë e tyre. Dhe SHBA-të sot janë burimi më i mirë i disponueshëm për asetet me siguri të lartë në çfarëdolloj shkalle që kërkohet. Ish-sekretarja e Shtetit Madeleine Albright parapëlqente ta përshkruante SHBA-në si “kombi i domosdoshëm”. Për kreditorët nëpër botë, dollari mbetet “monedha e domosdoshme.”
Por e gjitha kjo mund të ndryshojë nëse Trump ia del të fillojë të trajtojë mbajtësit e dollarëve si kërcu gardhi. E kush do ta konsideronte dollarin si monedhë parajsë nëse një falimentim i pjesshëm duket i mundshëm? Një fluturim te monedhat e tjera – euro, jeni, paundi e madje edhe renminbi i Kinës do të jetë i sigurtë, gjë që do të sjellë detyrimin e SHBA-së për të shkurtuar shpenzimet e veta ushtarake jashtë vendit. “Privilegji i jashtëzakonshëm” mund të humbet dhe SHBA-të mund të mos aspirojnë dot më të ruajnë rolin e vet dominues në politikën botërore. Pavarësisht retorikës së Trump, Amerika mund të mos jetë më në gjendje të jetë “e para” – e ndoshta, e dyta apo e treta e botës.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Trumping the Dollar