![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/640x480-NATO-Tirana-.jpg)
Liderët e NATO-s në Tiranë mirëpritën anëtarësimin e Malit të Zi, folën rreth nevojës për të afruar më tepër Maqedoninë me aleancën dhe bënë thirrje për një përgjigje të përbashkët kundër Rusisë.
![Asambleja Parlamentare e NATO-s të hënën në Tiranë. Foto: kryeministria.al](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/640x480-NATO-Tirana--533x400.jpg)
Asambleja parlamentare e NATO-s, e mbajtur gjatë tre ditëve në Tiranë, e ka vënë Ballkanin e Perëndimit në qendër të vëmendjes dhe ka theksuar se përmirësimi i mëtejshëm i sigurisë rajonale varet nga vazhdimësia e integrimit Euro-Atlantik.
Gjatë seancës parlamentare të së hënës, presidenti i Asamblesë së NATO-s, Michael Turner, tha se Aleanca dhe BE-ja i kanë sjellë siguri dhe stabilitet rajonit të Ballkanit dhe kanë ndihmuar që të kalojë konfliktet e sjella nga shpërbërja e Jugosllavisë.
Turner tha se ai gjithashtu besonte se Rusia ka filluar të veprojë më agresivisht dhe se NATO duhet ta shtojë praninë në rajon për të izoluar rreziqet.
“Nuk është sekret që Rusia po kërkon të na ndajë dhe Moska beson se është më mirë për ta të punojnë kundër nesh dhe jo me ne,” i tha ai më shumë se 250 zyrtarëve nga 28 vende anëtarë të NATO-s.
Zv/sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Alexander Vershbow tha të hënën në Tiranë se integrimi Euro-Atlantik ishte çelësi i stabilitetit në Ballkan, megjithëse ai shtoi se jo çdo vend në rajon duhet të kërkojë anëtarësim në NATO.
“Ne respektojmë zgjedhjet e vendeve joanëtare si Serbia, si dhe Austria, Suedia dhe Finlanda për të ndjekur partneritetin në vend të anëtarësimit,” tha ai.
“Vendet neutrale si Serbia luajnë një rol të rëndësishëm në operacionet paqeruajtëse dhe ne e vlerësojmë kontributin e Serbisë në Misionin e OKB në Qipro dhe Liban dhe misionet e BE-së në Afrikë,” tha Vershbow.
Të gjithë folësit e mirëpritën Malin e Zi drejt rrugës për t’u bërë anëtari i 29 i NATO-s.
“Anëtarësimi në NATO do të forcojë pavarësinë e Malit të Zi, që e fitoi 10 vite më parë dhe do të sigurojë stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë të Malit të Zi,” tha Vershbow.
Kryeministri malazez, Milo Djukanoviç, i cili mbajti një fjalim në seancën plenare ishte dakord. “Pranimi në NATO është garanci që Mali i Zi do të mund të ketë të ardhmen e vet në dorë,” tha ai.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha se me Malin e Zi në NATO, Adriatiku po bëhej një det i brendshëm i Aleancës, duke e bërë kështu Europën më të sigurt.
Rama gjithashtu deklaroi se vende të tjera të Ballkanit si Maqedonia duhet ta përqafojnë gjithashtu anëtarësimin në Aleancë në kohë.
“Ne mbështesim Maqedoninë, ashtu si Malin e Zi, të hyjë në rrugën e Euro-Atlantikut,” tha ai. “Shqipëria është e interesuar në këtë të ardhme që është më demokratike, e konsoliduar dhe e begatë,” shtoi ai.
Të hënën, liderët e NATO-s u nxitën të shtonin mbrojtjet kolektive të Aleancës për të përballuar një Rusi gjithnjë e më të vendosur, dhe të siguroheshin se çdo agresion do të marrë përgjigje të shpejtë dhe t’i jepet ndihmë aleatëve që ndihen të kërcënuar.
Liderët u nxitën gjithashtu të zhvillojnë një strategji bashkëkohore në samitin e ardhshëm të NATO-s në Varshavë në korrik.