Rruga e Mëndafshit, një shteg i lashtë i tregtisë nga Kina për në brigjet e Detit të Zi dhe Europë, pritet të rigjallërohet përmes investimeve të stërmëdha në ndërtim autostradash dhe hekurudhash që zgjaten për mijëra kilometra.
Kina po rigjallëron rrugën historike tregtare të mëndafshit që duhet të zgjatet nga kufijtë e saj deri në Europë. Njoftuar në vitin 2013 nga Presidenti Xi Jinping, ideja është që të dy korridoret e reja të tregtisë – njëri përmes tokës dhe tjetri përmes detit – do të lidhin këtë vend me fqinjët e vet në perëndim: Azinë Qendrore, Lindjen e Mesme dhe Europën.
Projekti ka rezultuar i kushtueshëm dhe i debatuar. Po pse po e bën Kina diçka të tillë?
Këtu kemi të bëjmë me forca të fuqishme tregtare dhe gjeopolitike, ku më e rëndësishmja është mbikapaciteti industrial i Kinës – më së shumti industria e prodhimit të çelikut dhe të makinerive të rënda – për të cilat rruga e re e tregtisë do të shërbejë si dyqan. Ndërsa tregu i brendshëm i Kinës ngadalësohet në ritmin e rritjes, hapja e tregjeve të reja tregtare mund të jetë një mundësi e mirë për ta mbajtur ekonominë kombëtare të shëndetshme.
Duke shpresuar se do të rrisë vlerën e tregtisë ndërkufitare në 2.5 trilionë dollarë brenda një dekade, presidenti Xi Jinping ka kanalizuar gati 1 trilionë nga paratë e qeverisë në këtë projekt. Ai po nxit gjithashtu ndërmarrjet shtetërore dhe institucionet financiare të investojnë në infrastrukturë dhe ndërtim jashtë vendit.
“Nuk është një projekt ekonomik, është një projekt gjeopolitik – dhe është shumë strategjik,” thotë Nadège Rolland, një analist te Byroja Kombëtare për Kërkime Aziatike për foreignpolicy.com. Ai nuk është i vetmi që dyshon se Kina po kryen një ripozicionim taktik në ekonominë botërore; është e qartë se marrëdhëniet me rajonin ASEAN, me vendet e Azisë Qendrore dhe me Europën, do të përmirësohen në mënyrë domethënëse në rast se Kina lëviz më shumë nga kapitali i vet në zhvillimin e infrastrukturës jashtë vendit.
Për më tepër, duke nxitur partneritetin ekonomik dhe kulturor me vende të tjera, Kina po sinjalizon qëllimin e vet për t’u bërë lojtar dominues në punët botërore.