![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/nuland-basha-web.jpg)
Partia Demokratike kundërshton rolin kyç të ndërkombëtarëve në përzgjedhjen e kandidaturave për procesin e vetingut dhe zhgënjen negociatorët amerikanë, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje “të orës së fundit”.
![Ndihmës sekretarja Amerikane e shtetit, Victoria Nuland, pas një takimi me Kryetarin e PD, Lulzim Basha, në hotel Rogner. Foto nga : LSA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/nuland-basha-web-534x400.jpg)
Partia Demokratike i mbylli derën një propozimi hibrid kompromisi të hartuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, duke zbehur shanset për miratimin e reformës në drejtësi më 21 korrik.
Propozimi i fundit, i cili u prezantua të dielën në Tiranë nga ndihmës/sekretarja amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland reflektonte shqetësimet e mëparshme të opozitës, ndërsa u jepte ndërkombëtarëve një rol kyç në filtrimin e kandidatëve, që do të ulen më pas në tre institucionet e vetingut: Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit, Kolegji i Apelimit dhe Komisionerët Publikë.
Thirrjes së Nuland për kompromis, Partia Demokratike iu përgjigj të mërkurën me një kundërpropozim, i cili ka në thelb shmangien e ndërkombëtarëve nga vendimmarrja dhe lënien e tyre në stolin e vëzhguesit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pranoi të mërkurën se shqetësimi i vetëm i opozitës është dhënia e kompetencave kushtetuese për Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në procesin e zgjedhjes së njerëzve që do të bëjnë skanimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë.
Ai tha në një deklaratë për mediat se Partia Demokratike ka inkorporuar 95 për qind të propozimit hibrid të SHBA dhe BE në draftin e vet, ndërsa ka shprehur shqetësimin e saj për mosreflektimin e opinionit të Komisionit të Venecias mbi rolin e misionit ndërkombëtar.
“Jo se Partia Demokratike nuk ka besim te ndërkombëtarët, pasi kemi thënë që nuk ka votë pa mision ndërkombëtar monitorimi, por jo kompetenca kushtetuese. Shqetësimi ynë parimor ka një arsye të thjeshtë; nëse diçka nuk shkon mirë ose shkon shumë keq, ku ta vërë gishtin qytetari shqiptar, te kryeministri i Finlandës,” u përgjigj me një pyetje retorike Basha.
Qëndrimi i Bashës u bë publik pas mbledhjes që ai zhvilloi me grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Mediat raportuan se mbledhja u shoqërua me debat, pasi një grup deputetësh kërkuan shpjegime dhe e cilësuan “joserioze” ndryshimin e vazhdueshëm të qëndrimeve nga ana e lidershipit të PD.
“Paketa e kompromisit”-një propozim i hartuar nga ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin për të sheshuar pikën e fundit të padakordësuar mes mazhorancës dhe opozitës u konsiderua si zgjidhja e duhur nga diplomatja e lartë amerikane, Viktoria Nuland gjatë vizitës së saj të së dielës në Tiranë.
Tre ditë më pas, përgjigja e Partisë Demokratike ka shkaktuar zhgënjim në kampin e negociatorëve amerikanë.
“Ne jemi të zhgënjyer nga përgjigja e zotit Basha ndaj propozimit hibrid për reformën në drejtësi,” iu përgjigj ambasadori amerikan Donald Lu interesimit të medias.
“Ne propozuam një zgjidhje në mirëbesim -gjysmën nga qeveria dhe gjysmën nga opozita. Zoti Basha propozoi diçka që ai vetë e ka pranuar se është në konflikt interesi dhe jo në përputhje me paragrafin 61 të opinionit final të Komisionit të Venecias,” shtoi ambasadori Lu.
Në një deklaratë për mediat, kryeministri Edi Rama tha se përgjigja e PD nuk ishte e papritur, por një sinjal më shumë se opozita nuk e do reformën në drejtësi. Ai bëri një kronologji të qëndrimeve kontradiktore të Partisë Demokratike gjatë një viti e gjysmë të procesit dhe deklaroi se kundërpropozimi i opozitës nxjerr zbuluar të vërtetën sipas tij, që PD i friket ndërkombëtarëve.
“Nuk i do të huajt nëpër këmbë sepse i friket paanshmërisë dhe profesionalizmit të tyre në procesin e skanimit të gjykatësve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë,” tha Rama.
“Çfarë do të thonë tani, që Amerika dhe Europa do të kapë drejtësinë? T’u thuash ndërkombëtarëve mbani distancë në një vend anëtar të NATO-s dhe që kërkon të anëtarësohet në BE është e papranueshme,” shtoi Rama.
Në deklaratat e tyre për median, si Rama ashtu edhe Basha nuk e mbyllën përfundimisht mundësinë për të arritur një marrëveshje. Kryeministri Edi Rama ftoi kundërshtarin e tij politik në një takim të dytë mes tyre, për “t’u dhënë shqiptarëve një vend të denjë për t’u integruar në Bashkimin Europian.”
Më vonë, edhe shefi i opozitës la të hapur mundësinë për negociata të reja, ndërsa deklaroi se “propozimi hibrid i SHBA dhe BE është një hap larg zgjidhjes.”
“Dua të konfirmoj vullnetin tim të plotë për të arritur një marrëveshje. Kam autorizuar gjithashtu ekspertët të shqyrtojnë shtatë ligjet plotësuese….Mos jetoni me drama. Ne japim dhe do të marrim kontributin tonë,” tha ai.
Ambasadori amerikan, Donald Lu nuk ka humbur kohë për të kthyer në produkt politik mundësinë e ngushtë, por ende të pambyllur për arritjen e një marrëveshjeje para seancës së 21 korrikut. Në mesditë, ai zhvilloi takime me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kreun aktual të PD, Lulzim Basha.
Ambasadori Lu konfirmoi për mediat se negociatat e reja po zhvillohen sërish mbi propozimin hibrid, të diskutuar nga ndihmës-sekretarja Nuland të dielën.
“Ne po vazhdojmë diskutimet me të dyja palët, në përpjekjen për t’i bindur ata të japin mbështetjen për propozimin hibrid të diskutuar nga ndihmës-sekretarja Nuland të dielën,” deklaroi ambasadori amerikan.