![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/kukan-fleckstein-web.jpg)
Nëpërmjet një deklarate për shtyp të përbashkët të shtunën, europarlamentarët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein i bënë thirrje liderëve politikë në Tiranë të miratojnë reformën në sistemin e drejtësisë, duke nënvizuar edhe njëherë rëndësinë e saj për të ardhmen Europiane të vendit.
![Kukan dhe Fleckenstein gjatë një takimi me Lulzim Bashën në selinë e PD-së | Foto nga : LSA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/kukan-fleckstein-web-600x360.jpg)
“Ne po i ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në lidhje me reformën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. E kemi mbështetur këtë reformë nga fillimi i saj dhe vazhdojmë ta mbështesim, duke inkurajuar partnerët tanë politikë në Shqipëri të gjejnë një zgjidhje kompromisi, në shërbim të standardeve më të larta për një reformë të gjyqësorit,” thuhet në njoftim për shtyp.
Europarlamentarët shprehin keqardhje që propozimi i fundi i komunitetit ndërkombëtar nuk është pranuar, megjithatë nënvizojnë se janë të bindur që një zgjidhje mund të arrihet.
“Është detyrë e shtetit shqiptar të garantojë sundimin e ligjit për qytetarët e tij dhe është detyrë e liderëve politik shqiptarë të miratojnë një reformë të besueshme të gjyqësorit, e cila do të garantojë një sistem të pavarur.
Kukan dhe Fleckenstein thanë se ata e mbështesin rolin e ndërkombëtarëve në procesin e vetingut të gjyqtareve dhe prokurorëve.
“Në opinionin tonë ky rol nuk hedh poshtë pronësinë e procesit nga autoritet shqiptare, që është esencial,” ata thanë. “Përfshirja e ndërkombëtarëve do të forconte besueshmërinë e reformës në sytë publikut shqiptar dhe të komunitetit ndërkombëtar, si dhe është në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias,” ata shtuan.
Duke pasur parasysh rëndësinë e reformës për publikun shqiptar, në mënyrë që të ketë një të ardhme në Bashkimin Europian, dy europarlamentarët shprehet gatishmërinë e tyre për të ndihmuar për gjetjen e një zgjidhjeje për miratimin e reformës.
“Ne i inkurajojmë liderët shqiptarë që t’i vazhdojnë bisedimet, duke pasur parasysh që qëllimi i reformës është krijimi i një sistemi drejtësie të pavarur dhe efikas në Shqipëri,” ata nënvizuan.