![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/03A-migrant-woman-together-with-her-children-stands-on-the-railway-tracks-by-Elena-Geroska-1-1-532x400-1.jpg)
Emigrantët kanë shtuar përpjekjet e tyre për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin për në Maqedoni ndërsa itinerari Ballkanas është mbyllur që prej marsit.
![Foto: Elena Geroska](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/03A-migrant-woman-together-with-her-children-stands-on-the-railway-tracks-by-Elena-Geroska-1-1-532x400.jpg)
Që nga marsi, pas mbylljes nga ana e disa vende të ashtuquajturit itinerar ballkanas të refugjatëve dhe emigrantëve, autoritetet maqedonase thonë se numri i atyre që përpiqen të kalojnë kufirit e vendit në mënyrë të paligjshme është rritur në mënyrë drastike.
Në përpjekje për të parandaluar hyrjet e paligjshme, organi koordinues i Maqedonisë për refugjatët dhe migrantët, pjesë e Qendrës për Menaxhimin e Krizave kombëtare, muajin e kaluar shtoi praninë e policisë dhe ushtrisë në kufirin jugor me Greqinë.
Në 24 orët e fundit, ka pasur mbi 120 përpjekje për hyrje të paligjshme nga ana e emigrantëve dhe refugjatëve nga Greqia në Maqedoni, sipas policisë maqedonase.
Autoritetet kapën 49 emigrantë që po përpiqeshin të kalonin në mënyrë të paligjshme, ndërsa pjesa tjetër nuk kishte arritur të hynin në kufirin grek.
“Nuk ka mënyrë për të llogaritur se sa kanë hyrë me sukses në Maqedoni pa u vënë re. Numrat e tyre [që nga marsi] mund të jenë me mijëra,” tha për BIRN C.A një komandant i policisë kufitare maqedonase, që këmbënguli për anonimitet.
Shumica e emigrantëve që kalojnë kontrollin kufitar vazhdojnë më tej në veri drejt Serbisë dhe më pas vendeve të tjera të BE-së.
“Një nga pikat hyrëse më të nxehta në vend është fshati Moin [pranë Gevgelijas]. Ne mendojmë se banorët dhe trafikantët i ndihmojnë ata përgjatë rrugës për një tarifë të caktuar,” tha C.A për BIRN.
Të shtunën, një 17-vjeçare afgane lindi një fëmijë pasi u kap nga autoritetet në qytetin jugor të Gevgelijas ndërsa përpiqej të kalonte ilegalisht kufirin nga Greqia bashkë me bashkëshortin e saj dhe emigrantë të tjerë.
Menjëherë pas rrethimit prej forcave të sigurisë, vajza lindi një fëmijë në një kamion ushtrie përgjatë rrugës për në spitalin e Gevgelijas ku po qëndron aktualisht, raportoi Alfa TV.
Bashkëshorti i saj i tha Alfa TV se ata po largoheshin nga kampi i refugjatëve pranë Thessalonikit në Greqi ku ishin përballur me kushte të këqija.
“Kushtet në kamp ishin shumë të këqija, nuk kishte ushqim dhe siguri. Kishte grindje mes njerëzve çdo ditë,” citohet të ketë thënë burri.
Bashkë me emigrantët që kalojnë kufirin, më shumë se 200 emigrantë dhe refugjatë kanë mbetur në Maqedoni, 130 në kampin e refugjatëve në Gevgelija dhe 80 në Tabanovce, në kufirin verior me Serbinë.
Gjatë krizës së refugjatëve në vitin 2015, rreth një milionë refugjatë kaluan në Maqedoni dhe më pas Serbi përgjatë rrugës së tyre për në vendet e BE-së.