Kampi më i madh i refugjatëve në Bullgari ka sjellë përfitime për vendasit në Harmanli, por përçarjet e fundit nga një zënkë e madhe mund të përmbysin paqen dhe të sjellin izolim të imigrantëve.
Kafenetë në rrugën kryesore të qytetit të vogël juglindor të Bullgarisë, Harmanli, zakonisht plot me vendas dhe mysafirët e tyre të huaj, ishin thuajse të boshatisur në një mëngjes të fundgushtit.
Bullgarët dhe refugjatët, që kishin mësuar të jetonin së bashku në tre vitet e fundit, ishin mbledhur në grupe të vogla, të ndarë qartazi.
Pavarësisht ndarjeve të tyre, ata po flisnin për të njëjtën gjë: grindjen masive mes mbi 500 personave të kombësive të ndryshme në qendrën e refugjatëve më 28 gusht.
Lufta e paprecedentë, që ka shokuar vendasit dhe krijoi pasiguri brenda kampeve gjithashtu ka ringjallur tensione etnike në qytetin ku, pas një vale fillestare të protestave kur u hap kampi i parë, njerëzit mësuan të jetonin së bashku.
Vendasit kishin filluar të shihnin përfitimet ekonomike nga të sapoardhurit, pasi kampi ofroi mundësi punësimi për të cilën ata kishin shumë nevojë.
Pas sherrit në Harmanli, qeveria vendosi të lejojë Agjencinë Shtetërore për Refugjatët që të ngrejë kampe refugjatësh të një lloji të mbyllur, ose të bëjë transformimin e kampeve ekzistuese të hapura në objekte të mbyllura, nëse vlerësohet si diçka e nevojshme.
Vendimi ka tërhequr kritika nga aktivistët e të drejtave të njeriut, të cilët argumentojnë se mjafton që ligjet ekzistuese bullgare të zbatohet për individët që i shkelin ato.
Harmanli, kampi më i madh i refugjatëve në Bullgari ka strehuar rreth 1,500 azilkërkues, kryesisht nga Afganistani, Siria, Iraku dhe Pakistani.
Ndërsa kampi strehonte rreth 150 azilkërkues vetëm disa javë më parë, numri i refugjatëve të ngecur në kampet e refugjatëve në Bullgari është rritur në mënyrë të vazhdueshme pasi Serbia ka forcuar kontrollin e kufirit të saj me Bullgarinë në korrik, pasi dërgoi njësi të ushtrisë për të patrulluar kufirin.
Tensionet rriten pas vite paqeje
“Kam shumë frikë. Mendoj se të gjithë ata të rinj [shumica e atyre që rrinë në kampe janë afganë 18-30 vjeç] nuk duhet të lejohen të dalin nga kampi – dhe kontrollet e policisë duhen shtuar,” tha për BIRN Tonka, një vendase që doli në protestë përpara kampit më 29 gusht.
Nikolay Georgiev, kryetar i partisë nacionaliste VMRO në Harmanli, thotë se e gjithë qendra duhet transformuar në një ndërtesë të mbyllur.
“Qyteti ynë ka ndryshuar që kur numri i refugjatëve filloi të shtohet,” tha ai, duke shtuar se partia e tij planifikon një tjetër protestë kundër kampit të refugjatëve më 4 shtator.
Shumë banorë të Harmanli kanë thënë se synojnë të bashkohen me protestën, e cila do të ishte e para në dy vjet.
Shumica e refugjatëve që jetojnë në qendrën e refugjatëve, që ndodhet në një ish-kompleks ushtarak, janë gjithashtu të shqetësuar në lidhje me incidentin.
“Nëse grindjet vazhdojnë, jetët tona këtu do të jenë në rrezik. Ne kemi ardhur për t’i shpëtuar luftës, sepse duam paqe. Kjo nuk është ajo që ne po kërkojmë,” tha për BIRN Najid, 21 vjeç nga Afganistani.
Kur kampi në Harmanli, një qytet me rreth 15.000 banorë, u hap për herë të parë gjatë kulmit të krizës së refugjatëve në Bullgari në vjeshtë të vitit 2013, vendasit nuk ofruan një mirëseardhje të ngrohtë.
Në vitin 2014, u zhvillua një seri protestash kundër kampit të refugjatëve, organizuar nga vendasit dhe aktivistë të partive të ndryshme politike.
Por më vonë situata u qetësua, pasi numri i refugjatëve ra në mënyrë të vazhdueshme dhe për shkak se kampi krijoi mundësi të papritura punësimi.
“Rreth 130 persona punojnë në kamp në programe dhe në pozicione të ndryshme. Ky është një avantazh, sepse Harmanli është një qytet i vogël dhe nuk ka shumë fabrika dhe kompani të prodhimit, ku njerëzit mund të punojnë,” tha për BIRN Yordan Malinov, drejtor i kampit.
Ai shpjegoi se shumica e njerëzve që ka filluar punën në kamp në vitin 2014 ishin të papunë më parë.
Malinov tha se kampi i refugjatëve ka ndihmuar edhe tregtarët lokalë, pasi azilkërkuesit janë të lirë të lëvizin për pazar dhe për të vizituar kafenetë në Harmanli.
Disa prej refugjatëve të cilët kanë fituar azil në Bullgari kanë zgjedhur të qëndrojnë në Harmanli, duke hapur fast-food, dyqane dhe internet-kafe dhe të tjerë punojnë në fabrika.
“Refugjatët të cilët e pëlqejnë Bullgarinë gjithmonë qëndrojnë këtu, veçanërisht për shkak të qetësisë së qytetit të vogël”, tha Malinov.
Bassel Al-Gafari, i cili u largua nga Siria dhe erdhi në Bullgari në vitin 2013, është një prej tyre. Ai tani zotëron një restorant në stacionin e autobusëve – një vend i frekuentuar shumë nga refugjatët.
“Vendosa të hap një restorant fast-food për shkak të kampit. I kisha klientët gati, nuk mu desh t’i kërkoja,” tha për BIRN ai duke shtuar se rreth gjysma e klientëve të tij janë bullgarë.
“Kam familjen këtu, dy vëllezër dhe ata më mbështetën në fillim. Prandaj erdha në Bullgari. Do të qëndroj këtu për tani. Është qetësi dhe njerëzit janë të mirë. Për të ardhmen, nuk e di,” tha ai.
Shteti përgjigjet me masa të ashpra
Pas tensioneve të fundit, qeveria ra dakord më 31 gusht të lejojë Agjencinë Shtetërore për Refugjatët të ngrejë kampe të mbyllura ose të transformojë kampet e hapura në objekte të mbyllura.
Azilkërkuesit që dërgohen në kampe të mbyllura do të jenë ata me identitet dhe shtetësi të paqartë ose ata që kanë shkelur rendin publik.
“Strehimi … në qendra të mbyllura është një kufizim i lirisë së lëvizjes dhe do të aplikohet vetëm kur është i nevojshëm dhe kur garancitë ligjore të nevojshme të jenë ofruar,” ka këmbëngulur qeveria.
Ideja e izolimit të refugjatëve nuk është e re – dhe pason miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Azilin dhe Refugjatët, në tetor 2015, por ka nevojë për dritën e gjelbër nga qeveria.
Deri më tani, vetëm imigrantët që nuk kishin kërkuar azil në Bullgari ose të huaj që dyshoheshin si rrezik për sigurinë kombëtare mund të vendoseshin në qendra të mbyllura të paraburgimit, institucione të Ministrisë së Brendshme.
Ndryshimet ligjore gjithashtu lejojnë kufizimin e lëvizjes së lirë të azilkërkuesve në lagjet apo qytetet ku janë regjistruar.
Ekspertët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut e kanë kundërshtuar masën si kufizuese dhe thonë se shkel të drejtat e azilkërkuesve.
Në janar të vitit 2015, kur ndryshimet ligjore ishin ende duke u debatuar, Agjencia e OKB-së për Refugjatët UNHCR, ka paralajmëruar komisionin ligjor parlamentar se paraburgimi i azilkërkuesve do të kishte “efekte negative afatgjata mbi ta”, dhe do t’i shkaktojë atyre “vuajtje të panevojshme me pasoja serioze për shëndetin dhe mirëqenien”.
Lydia Staykova, një vullnetare nga iniciativa humanitare “Miqtë e refugjatëve”, kujton pesë muajt e parë pasi u krijua kampi në Harmanli, kur ky vepronte si strukturë e mbyllur.
“Ishte e vështirë që njerëzit të blinin ilaçe, duhej të kërkonin leje. Më kujtohet një grua që kishte astmë, por nuk u lejua të dilte nga kampi”, tha ajo për BIRN.
“Unë mendoj se dikush që shkel rendin publik duhet të jetë subjekt i ligjeve ekzistuese pasi ka burgje qendra të izolimit policor. Nëse nuk janë të mjaftueshme, autoritetet duhet të ndërtojnë të reja, por të mos i kthejnë kampet e refugjatëve në burgje,” shtoi Staykova.
Masat e reja nuk do t’i bëjnë qytetet bullgare më të sigurta dhe nuk do të ndalojnë trafikantët, shkroi ajo në Facebook.