![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Diga-e-liqenit-te-Fierzes-pare-nga-pontili-i-trageteve.jpg)
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare njoftoi se plani i saj i menaxhimit të prurjeve të stërmëdha në kaskadën e Drinit po rezulton me sukses për të shmangur përmbytjet në fushën e nën-Shkodrës.
![Diga e liqenit të Fierzës parë nga pontili i trageteve. Foto: Gjergj Erebara/BIRN](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Diga-e-liqenit-te-Fierzes-pare-nga-pontili-i-trageteve-300x180.jpg)
Korporata, e cila menaxhon kaskadën e lumit Drin, bëri të ditur sot (12 nëntor) se ka reduktuar shkarkimet në Vaun e Dejës në 790 metra kub për sekondë nga maksimumi prej 1200 metrash që shkarkoheshin pak ditë më parë, pasi skema e saj e menaxhimit të prurjeve të larta që konsistonte në rritjen e nivelit të Fierzës dhe paralelisht shkarkime në Koman e Vaun e Dejës për të krijuar hapësirë në këto dy liqene, duket se ka rezultuar me sukses.
“Korporata Elektroenergjetike Shqiptare po menaxhon në mënyre optimale prurjet në Kaskadën e lumit Drin,” bëri të ditur KESH në një njoftim për shtyp.
“KESH garanton se situata është nën kontroll. Kuotat po menaxhohen në zbatim vendimit të Komisionit të Posaçëm të Trajtimit të Plotave. Gjatë 24 orëve të fundit niveli në liqenin e Fierzës është ulur me 40 cm. Në total shkarkimet janë reduktuar dhe KESH garanton se ato do të jenë gjithmonë më të ulëta se nivel i prurjeve natyrale, për të reduktuar efektin që mund të shkaktojnë reshjet,” vijon më tej deklarata.
Korporata është përballur me prurje të pazakonta prej 2,150 metra kub për sekondë, të cilat, nëse do të shkarkoheshin në Vaun e Dejës, do të mjaftonin për të përmbytur sipërfaqe të mëdha toke në të dy anët e lumit Bunë në zonën e nën-Shkodrës.
Niveli i liqenit të Fierzës qe në kuotën 288.76 metra mbi nivelin e detit në mëngjesin e 8 nëntorit. Niveli maksimal i lejuar për liqenin e Fiezës është kuota 296 metra mbi nivelin e detit, por kaskada menaxhohet sipas një skeme që merr parasysh që kuota maksimale lejohet vetëm në periudhën në fund të pranverës, kur rreziku për prurje të reja të pazakonta është më i ulët.
Të dhënat historike të publikuara nga KESH tregojnë se për muajin nëntor, niveli mesatar për periudhën 1991-2916 ka qenë 275 metra ndërsa niveli maksimal historik është shënuar në vitin 1995 në kuotën 289.2 metra. Por gjatë ditëve të fundit, niveli i Fierzës u rrit deri në nivelin 292.84 metra para se KESH të fillonte shkarkimet nga portat anësore për të shmangur rritjen e mëtejshme.
Menaxhmenti i KESH përballet me dilema të shumta përgjatë vitit për menaxhimin e prurjeve në kaskadën e Drinit, pasi mbajtja e nivelit të liqenit të Fierzës në nivel të ulët mbart rrezikun që shirat të vonojnë dhe prodhimi energjetik të pakësohet ndërsa mbajtja në nivel të lartë mbart rrezikun e nevojës së shkarkimeve në rast se shirat janë të bollshëm.
Rreshjet e shiut në Shqipëri kanë luhatshmëri të madhe nga viti në vit.
Link: Të dhënat e energjisë