![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/EU-Flags-Photo-by-Thijs-ter-Haar-Flickr-640.jpg)
Pas ambasadorit amerikan, Donald Lu, edhe zëdhënësja e Bashkimit Europian i cilëson të rreme akuzat e ngritura për misionin EURALIUS dhe delegacionin e BE mbi variantin anglisht të ligjit të Vetingut që i është dërguar Komisionit të Venecias.
![Foto nga Thijs ter Haar/Flickr](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/EU-Flags-Photo-by-Thijs-ter-Haar-Flickr-640-300x225.jpg)
Bashkimi Europian dënoi të martën akuzat e ngritura rreth misionit EURALIUS dhe rolit të tij në përkthimin e ligjit të Vetingut në Shqipëri, ndërsa theksoi se këto akuza kanë si qëllim të shkaktojnë vonesa në zbatimin e reformës në drejtësi.
Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijancic deklaroi nga Brukseli se akuzat mbi EURALIUS dhe delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë janë të rreme, ndërsa shprehu vendosmërinë e BE për të asistuar në vazhdimësi reformën në drejtësi.
“Transmetimi i përkthimeve zyrtare të çdo dokumenti është përgjegjësi vetëm e atyre institucioneve shqiptare që i paraqesin ato para Komisionit të Venecias,” tha Kocijancic.
“BE dënon përhapjen publike të akuzave të rreme që pretendonin se EURALIUS dhe Delegacioni i BE-së janë përfshirë në gabime që supozohen të qëllimshme në përkthimin anglisht të legjislacionit shqiptar që i është dërguar për shqyrtim Komisionit të Venecias,” shtoi ajo.
Deklarata e Bashkimit Europian është në të njëjtën linjë me kritikën e ashpër që ambasadori amerikan, Donald Lu u drejtoi të hënën politikanëve, që sipas tij kanë frikë nga reforma në drejtësi.
” Për shkak të frikës së tyre, ata po sajojnë histori dhe thonë gënjeshtra për Ambasadoren e BE-së, EURALIUS-in dhe Gjykatën Kushtetuese,” tha Lu.
Pretendimi për gabime në variantin anglisht të ligjit të Vetingut, që u dërgua në Komisionin e Venecias nga Gjykata Kushtetuese u ngrit javën e kaluar nga Partia Demokratike. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja sqaroi më pas në një intervistë për të përditshmen MAPO se gjykata kishte dërguar në Komisionin e Venecias variantin anglisht të misionit EURALIUS. Dedja theksoi se Gjykata Kushtetuese e kishte rishikuar përkthimin pas ankesës së Partisë Demokratike dhe shtoi se “ndryshimet nuk ishin thelbësore”.
Megjithatë, ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi ngjarjen një falsifikim mafioz, përmes një postimi në Facebook.
“Ekzekutimi i këtij akti korruptiv skandaloz është realizuar nga Rama – Xhafa nëpërmjet segmenteve të caktuara të misionit të Euralius! Por dhe heshtja para këtij skandali të paprecedent i ambasadores Vllahutin…flet jo pak dhe e akuzon dhe këtë të fundit,” shkroi Berisha.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur të martën( 6 dhjetor) në Tiranë, deputeti Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike i qëndroi akuzave se përkthimi i EURALIUS, i dërguar në Komisionin e Venecias nga Gjykata Kushtetuese “ndikon në keqorientimin e këtij institucioni në dhënien e opinionit”.
“Këto janë fakte kokëforta, të provueshme, do t’i keni të gjithë në dorë, janë të aksesueshme në faqen e pa lëvizur dhe të paprekur të Komisionit të Venecias… Në këto kushte… mbetet për të gjetur ju dhe opinioni publik, kush janë ata që gënjejnë?” tha Bylykbashi.
Partia Demokratike në opozitë dhe një grupim i njohur si Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kanë kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese dy nga ligjet më të rëndësishme që shoqërojnë reformën në drejtësi; ligjin e Vetingut dhe atë për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur pezullimin e ligjit kyç të Vetingut dhe është në pritje të një përgjigjeje nga Komisioni i Venecias, para se të marrë vendim.