![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/lulzim-berisha-1.jpg)
Prokuroria e Apelit Durrës njoftoi se ka dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të Durrësit, e cila liroi me kusht Lulzim Berishën, person i dënuar për disa vrasje dhe për krim të organizuar.
![Lulzim Berisha, kreu i "Bandës së Durrësit" | Foto kortezi: Policia e Shtetit](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/lulzim-berisha-1-300x227.jpg)
Prokuroria e Apelit në Durrës njoftoi sot (16 dhjetor) se ka dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë në Tiranë kundër një vendimi të debatueshëm të Gjykatës së Apelit të Durrësit, vendim që solli lirimin para kohe me kusht të Lulzim Berishës.
Në një njoftim për shtyp, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se Prokuroria e Apelit në Durrës mendon se vendimi i lirimit nuk legjitimohet “për shkak të natyrës së veprave të rënda penale; për shkak të uljes së pajustifikuar të kohës së dënimit si dhe për shkak të llogarive jo të sakta për kohën e burgimit”.
Lulzim Berisha, i njohur si “kreu i bandës së Durrësit” u dënua me burgim për jetë për disa vrasje dhe për krijim organizate kriminale në vitin 2012, pasi qe arrestuar në vitin 2006. Por Gjykata e Lartë, e cila do të duhet të shqyrtojë aktualisht lirimin e tij para kohe, në vitin 2014 vendosi ta ndryshojë dënimin me burgim për jetë në burgim me 25 vjet burg. Kjo i hapi rrugën një serie gjyqesh të tjera, mes të cilave, Berisha përfitoi ulje të njëpasnjëshme të masës së dënimit deri sa u lirua më 5 dhjetor 2016.
Lirimi i tij shkaktoi reagime të shumta. Një investigim i mëparshëm i BIRN zbuloi vendimet e shumta të lidhura me çështjen si dhe faktin se vendimi i lirimit me kusht i Gjykatës së Apelit në Durrës mbështetej gjerësisht në raportet e administratës së burgjeve për sjellje të mirë të të dënuarit si dhe në një letër mbështetëse të firmosur nga kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, i cili premtonte punësimin e të dënuarit në Bashkinë e Durrësit në rast se ky i fundit nuk siguronte dot punë në sektorin privat.
Pas investigimit të BIRN, Prokuroria e Durrësit njoftoi nisjen e hetimeve ndaj gjyqtarëve që morën vendimin e lirimit si dhe ndaj praktikës administrative të Bashkisë së Durrësit, ndërsa Partia Demokratike në opozitë kërkoi shkarkimin e kryebashkiakut. Dako nga ana e tij u mbrojt duke argumentuar se letra e firmosur qe një praktikë rutinë e Bashkisë së Durrësit në kuadër të vendimeve të dënimeve me kusht të gjykatave.