![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/shendet-print-web.jpg)
Avokatët e Spitalit Amerikan kërkuan në gjykatë pakësimin e objektit të padisë, duke hequr dorë vullnetarisht nga kërkesa për dëmshpërblim në masën 1 milionë lekë nga gazeta që raportoi ankesat e klientëve për cilësinë e ushqimit dhe shërbimit të dializës.
!["Print screen" i faqes online të gazetës Shëndet Plus.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/shendet-print-web-600x316.jpg)
Spitali Amerikan, kompania që ka hedhur në gjyq me pretendimin se ka shpifur gazetën Shëndet Plus për një shkrim të prillit 2016, pati kërkuar fillimisht përgënjeshtrim të shkrimit, pagesën e shpenzimeve gjyqësore dhe të avokatit si dhe një dëmshpërblim financiar në masën 1 milionë lekë të rinj.
Por pas një viti pas hapjes së procesit gjyqësor, kompania vendosi papritur të heqë dorë nga kërkesa për dëmshpërblim financiar duke u kufizuar te kërkesa për përgënjeshtrim dhe për pagimin e shpenzimeve gjyqësore.
“Duke qenë se gjykojmë që më e rëndësishme për imazhin e spitalit do të ishte vetëm përgënjeshtrimi për publikimin e të dhënave mashtruese në faqen e tyre të ëeb-it dhe të paktën në dy gazeta kombëtare dhe/ose 2 media audiovizive kombëtare dhe se dëmshpërblimi në para kundrejt të paditurve nuk do të kishte aq vlerë për ne, saç ka në fakt imazhi i kompanisë tonë,” kërkohet pakësimi i kërkesëpadisë, shkruhet në dokumentin e Spitalit Amerikan të dorëzuar në Gjykatën e Tiranës.
Gazeta Shëndet Plus publikoi prillin e kaluar një shkrim në të cilin, shtatë pacientë ankohen për cilësinë e keqe të ushqimit të ofruar në mjediset e shërbimit të dializës si dhe për kushtet higjenosanitare, të cilat, pacientët i konsiderojnë të pakënaqshme. Pacientët thonë gjithashtu se detyrohen të marrin çarçafë nga shtëpia.
Spitali Amerikan në aktpadinë ndaj gazetës thotë se akuzat janë të pabaza dhe se shërbimi i ushqimit të ofruar për pacientët e dializës, nuk është detyrim kontraktual për të, por një lloj bamirësie që e bën vetë spitali.
Gazeta Shëndet Plus thotë se i qëndron fakteve të raportuara në shkrim dhe se nuk ka ndër mend të tërheqë shkrimin.