![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Kumanovo-Fighting-2-AP-Photo-Radovan-Vujovic-4x3.jpg)
Gjykata e Shkupit pritet të marrë një vendim në qershor në lidhje me shkëmbimin e zjarrit në Kumanovë, por avokatët e 37 të pandehurve shqiptarë ende shpresojnë të sjellin si dëshmitarë politikanë të njohur.
![Forcat e sigurisë në Kumanovë në maj 2015. Foto: AP/Radovan Vujovic](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Kumanovo-Fighting-2-AP-Photo-Radovan-Vujovic-4x3-533x400.jpg)
Gjyqi i profilit të lartë i 37 të akuzuarve etnikë shqiptarë të akuzuar për pjesëmarrje në një shkëmbim zjarri dy ditor me forcat e sigurisë maqedonase, ku mbetën të vdekur 18 persona, në qytetin verior të Kumanovës në maj 2015 duhet të përfundojë brenda tre muajve, tha avokati mbrojtës.
“Sipas ligjit penal, gjykata është e detyruar të japë vendimin, në shkallë të parë, deri në fund të qershorit,” tha avokati mbrojtës Mefail Arslani.
Arslani tha se ai shpreson se deri atëherë, gjykata do t’i lejojë avokatët mbrojtës të thërrasin dëshmitarë shtesë, ndër ta edhe politikanë të njohur që ata shpresojnë se mund të hedhin më shumë dritë në lidhje me këtë çështje.
Që nga tetori i vitit të kaluar, mbrojtja ka thënë se dëshiron që një gjeneral policie në pension, i cili tani është kreu i partisë së vogël opozitare Dinjiteti, Stojance Angelov, dhe kreu i partisë më të madhe etnike shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, Ali Ahmeti, të paraqiten si dëshmitarë.
Por gjykata i hodhi poshtë këto kërkesa, duke cituar ligjin i cili ndalon thirrjen e dëshmitarëve shtesë në mes të gjyqit, vetëm në rast se ata janë përmendur në dëshmitë e personave të tjerë si të njerëz të mundshëm që mund të kenë lidhje me këtë çështje.
Mbrojtja tani këmbëngul se kjo nuk është më një pengesë sepse që nga shkurti, disa nga të pandehurit e shkëmbimit të zjarrit kanë dëshmuar në gjykatë dhe i përmendën këta politikanë si potencialisht të rëndësishëm.
Gjyqi i profilit të lartë nisi në shkurt të vitit 2016.
Por në fillim të qershorit të vitit të kaluar, procedurat u desh të rinisnin nga e para pasi prokuroria vendosi ta shkrinte çështjen me një rast tjetër në të cilin tetë persona dyshohen se kanë ndihmuar grupin e armatosur që dyshohet të jetë përfshirë në shkëmbimin e zjarrit me policinë.
Prokuroria pretendon se burrat vodhën armë në një rajon policie, të cilat ata më pas i përdorën për sulmin mbi forcat e sigurisë në Kumanovë më 9 dhe 10 maj 2015.
Të pandehurit i mohojnë akuzat dhe këmbëngulin se shkëmbimi dy ditor i zjarrit ishte rezultat i tyre që mbronin veten nga policia.
Kumanova ishte një nga qytetet në qendër të konfliktit të armatosur të vitit 2011 midis kryengritësve të armatosur shqiptarë dhe forcave të sigurisë maqedonase.
Ndërkohë, avokatët mbrojtës lajmëruan se ata do të ngrënë padi kundër oficerëve të policisë që ata i akuzojnë se kanë torturuar klientët e tyre gjatë kohës që mbaheshin në paraburgim.
“Ne do të ngremë akuza kundër atyre njerëzve që kanë tejkaluar juridiksionet e tyre formale sa më shpejt është e mundur,” tha Arslani.
Prokuroria shtetërore vitin e kaluar hapi një hetim në lidhje me këto akuza, pasi zyra e avokatit të popullit të Maqedonisë dhe ministri i brendshëm Agim Nuhiu kërkuan një hetim.
Megjithatë, prokuroria në kohën e publikimit të lajmit nuk iu përgjigj pyetjeve nëse hetimi ka dhënë apo jo ndonjë rezultat deri më tani.