Liderët politikë të Maqedonisë vendosën të vazhdonin të enjten bisedimet për mbajtjen në vjeshtë të referendumit për marrëveshjen historike të emrit që vendi nënshkroi me Greqinë.
Pasi diskutimet maratonë midis krerëve të të gjitha partive parlamentare të Maqedonisë të mërkurën përfunduan pa marrëveshje, bisedimet duhet të rifillonin në Shkup të enjten midis liderëve të vetëm katër partive më të mëdha.
Zoran Zaev, kryeministri dhe kreu i Bashkimit Social Demokrat në pushtet, SDSM, tha se ai kishte pranuar kërkesën e kreut të partisë kryesore opozitare VMRO DPMNE, Hristijan Mickovski, për një takim më të ngushtë për të zgjidhur mosmarrëveshjet.
Partia e Mickovskit ka bllokuar për javë të tëra përgatitjet për një referendum që do të mbahet në vjeshtë për marrëveshjen historike të vendit me Greqinë dhe e ka quajtur marrëveshjen një kapitullim kombëtar. Partia u largua më herët nga bisedimet e së mërkurës.
Mickovski ka këmbëngulur në miratimin paraprak të një ligji të ri mbi financimin e partive politike dhe në një dispozitë që garanton krijimin e një qeverie të gjerë koalicioni përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, përpara se të bien dakord për të marrë pjesë në referendum.
“Sjellja e Mickovskit nuk është serioze, është e papërgjegjshme dhe ofenduese ndaj të gjitha subjekteve të tjera politike dhe qytetarëve maqedonas,” u ankua Zaev te gazetarët pas ndërprerjes së bisedimeve të mërkurën në mbrëmje.
Ai tha se liderët e tjerë politikë kishin diskutuar mbi aspektet kyçe të plebishitit, duke shqyrtuar një pyetje referendumi: “A e mbështesni anëtarësimin në BE-së dhe NATO-s duke pranuar marrëveshjen e “emrit” midis Maqedonisë dhe Greqisë?”
Një qëllim kryesor i marrëveshjes historike me Greqinë, nënshkruar më 17 qershor, ishte të siguronte që Greqia të përfundonte bllokimin e saj të gjatë të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.
Sipas marrëveshjes, Maqedonia ra dakord të ndryshonte emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa Greqia pranoi të hiqte veton për integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO.
Megjithatë, që marrëveshja të zbatohet plotësisht, maqedonasit duhet të tregojnë se e mbështesin atë në një referendum që qeveria e drejtuar nga socialdemokratët dëshirojnë ta mbajë në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit, në mënyrë që të ketë kohë për të miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese deri në fund të vitit.