Gjykata për Krimet e Rënda urdhëroi “sekuestro preventive” për një apartament në Durrës dhe tre parcela toke në Tiranë për ish-prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili është nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash.
Një grup i vogël efektivash të policisë gjyqësore rrethuan mëngjesin e së hënës pronat e ish kryeprokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla, një apartament në Durrës dhe disa parcela toke në rrethinat e Tiranës.
Ndërhyrja e tyre erdhi pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi para Gjykatës për Krimet e Rënda dhe kjo e fundit pranoi masën e sekuestros preventive për pronan e Llallës, pasi ky i fundit është vënë nën hetim dhe prokurorët dyshojnë se pronat janë krijuar me burime të paligjshme.
Në një njoftim për shtyp, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe që përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrore.
“Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, janë krijuar dyshime të arsyeshme se disa pasuri të paluajtshme në zotërim të shtetasit Adriatik Llalla përbëjnë produkt të veprës penale”, thuhet në njoftim.
Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzën e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.
Llalla ka mbajtur postin e Prokurorit të Përgjithshëm nga viti 2012 deri në vitin 2017 ndërsa në fillim të këtij viti, pasi i mbaroi mandati si kryeprokuror, vendosi të tërhiqet nga sistemi i drejtësisë duke dhënë dorëheqjen.
Me ligj, prokurorit të përgjithshëm i takon të emërohet në nivel apeli pasi mbaron mandatin si kryeprokuror, por Llalla deklaroi se nuk dëshironte të ishte më pjesë e sistemit të drejtësisë.
Akuza ndaj Llallës përfshin veprat penale “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë, interesave private të të zgjedhurve dhe nëpunësve publikë”, “mosdeklarim të shumave monetare në kufi”, “pastrim të produkteve të veprës penale” dhe “shpërdorim detyre”.
Sipas Prokurorisë për krimet e rënda, vlera e pronave nën sekuestro preventive të Llallës është 98.8 milionë lekë.
Një investigim i mëparshëm i BIRN tregoi se si transformoi një investim fillestar prej 16.3 milionë lekësh në prona me vlerë mbi 1 milionë euro përmes transaksioneve me një person të dënuar për vrasje, një biznesmen kafeje-fitues tenderi në Prokurori dhe një instruktor hipizmi i përdorur si sekser tokash.
Llalla e ka deklaruar veten të pafajshëm ndaj akuzave.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se Adriatik Llalla bleu katër parcela tokë me sipërfaqe totale prej 22 mijë metrash katrorë nga GazmenBrahimi nga dhjetori i vitit 2016 deri në maj të vitit 2017. Të katër kontratat i kushtuan 14.8 milionë lekë në total ish-kryeprokurorit, me një çmim që varion nga 600 në 1 000 lekë për metër katror.
Menjëherë pas blerjes, Llalla i përfshiu tokat në procesin e rivlerësimit dhe sipas çmimeve të referencës, vlera e tyre totale u rrit me 6-fish duke kapur shifrën e 93.7 milionë lekëve.
Llalla ishte personi i parë në botë që u shpall Non Grata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në bazë të një ligji të vitit 2017, i cili synon të luftojë korrupsionin mes zyrtarëve të huaj.