![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Brussels-Meeting-BetaEuropean-CouncilMario-SalernoMO-640.jpg)
Më shumë se 30 OJQ nga Kosova dhe Serbia i dërguan një letër shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, duke i bërë thirrje asaj të bëjë një deklaratë të qartë kundër ndarjes së Kosovës.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Brussels-Meeting-BetaEuropean-CouncilMario-SalernoMO-640-533x400.jpg)
Në një letër dërguar të martën, 37 organizata joqeveritare nga Kosova dhe Serbia – përfshirë disa nga veriu me shumicë serbe i Kosovës – i bënë thirrje Federica Mogherinit të mbajë një qëndrim të qartë kundër ndarjes së Kosovës apo shkëmbimit të territoreve me Serbinë përgjatë vijave etnike – një sugjerim që është debatuar gjerësisht në ditët e fundit.
“Përmendjet gjithnjë e më të shpeshta të një ripërcaktimi të kufijve dërgon një mesazh shumë të rrezikshëm për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës, si edhe për të gjithë rajonin, se ekziston një mundësi reale për të legjitimuar propagandën e rrezikshme të pronësisë etnike mbi territorin – një parim që ka e ka shtyrë rajonin në disa raste në konflikte të përgjakshme,” thuhet në letër.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, të cilën Beogradi ka refuzuar ta njohë, dhe bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve nisën në Bruksel në vitin 2011. Që nga qershori i këtij viti të dyja palët kanë deklaruar se bisedimet po hyjnë në fazën përfundimtare.
Siç ka raportuar më parë BIRN, biseda për një shkëmbim territoresh – duke shkëmbyer zonat me shumicë shqiptare në Serbinë jugore për ato me shumicë serbe në Kosovën e veriut – është rritur më shpesh midis disa politikanëve serbë dhe kosovarë, megjithëse nuk ka qenë kurrë një temë zyrtare diskutimi gjatë dialogut zyrtar Prishtinë-Beograd në Bruksel.
Në Kosovë, ndarja e propozuar shkaktuar kritika nga partitë qeverisëse dhe opozitare, ndërsa në Serbi, një nga kritikët më të zëshëm të ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve ka qenë Kisha Ortodokse Serbe me ndikim shumë të madh.
OJQ-të që nënshkruan letrën, përfshirë Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, YUCOM, Fondi për të Drejtën Humanitare dhe zyrat e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe Kosovë, paralajmëruan se zgjidhjet si ndarja ose shkëmbimi i territoreve mund të çojnë në një eksod të ri të civilëve.
“Zhvillime të tilla do të shkaktonin në mënyrë të pashmangshme një reagim zinxhir në shtetet e tjera të Ballkanit dhe do të çonin në kërkesa të shumta për ndryshime kufijsh në Ballkan, gjë që hap dyert për konflikte të reja,” thuhet në letër.
“Kjo gjithashtu do të dërgonte një mesazh të rrezikshëm për të gjithë serbët dhe shqiptarët që jetojnë në “anën e gabuar” të shteteve “të tyre” etnike, që mund të çojë në një tjetër eksod të popullsisë në Ballkan,” shton ajo.
OJQ-të u kërkuan autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë dhe komunitetit ndërkombëtar që të sigurojnë se krimet e së kaluarës të mos përsëriten dhe të ndihmojnë në krijimin e demokracive të duhura për të përgatitur terrenin për një të ardhme paqësore.
“Vendet etnike të pastra, një model i vjetëruar i shekullit të 19-të, nuk duhet të jenë qëllimet e asnjë politike, as duhet të tolerohen dhe të mbështeten nga përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar,” thotë letra.
“Çdo shtet që bazohet në diskriminim dhe i ndan qytetarët mbi çdo bazë është i dënuar të dështojë paraprakisht”, shton ajo.
Vuçiç: kompromisi do të jetë i vështirë
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha në një konferencë për shtyp të martën se ai nuk mund të komentonte për letrën e OJQ-ve, por se ai do t’i kërkojë shefes së politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini shumë më tepër nga sa i kërkuan OJQ-të.
Vuçiç tha se “Serbinë në shtator e pret një punë shumë e vështirë” kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Kosovën dhe se ai është i angazhuar të gjejë një zgjidhje për mosmarrëveshjen.
Por ai tha se “do të jetë e vështirë të gjendet ndonjë kompromis”, duke shtuar se qytetarët e Serbisë do të jenë plotësisht të informuar për të gjitha pasojat politike, shoqërore dhe ekonomike të një marrëveshjeje apo të mos arritjes së një gjëje të tillë.
Vuçiç tha gjithashtu se për Serbinë një nga temat kryesore do të je në çështjet e pronësisë dhe se Beogradi do të punojë për t’u siguruar që pronat e Kishës Ortodokse Serbe të mbeten në duart e kishës, si dhe për të siguruar të drejtat individuale të pronësisë së serbëve dhe kompanive që kanë ose kërkojnë pasuritë e tyre në Kosovë.