![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/MogeriniVucic640.jpg)
Edhe pse ishte lajmëruar se presidenti i Serbisë dhe ai i Kosovës do të takoheshin të premten për të vazhduar dialogun e tyre të ndërmjetësuar nga BE-ja, lideri serb e ka anuluar takimin, ndërsa vizita e tij në Kosovë këtë fundjavë nuk është ende e sigurt.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/MogeriniVucic640-533x400.jpg)
Pas takimeve të ndara bilaterale midis shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, presidenti serb ka anuluar një takim të planifikuar me homologun e tij të Kosovës, Hashim Thaçi, në Bruksel.
Vizita e lajmëruar e Vuçiçit në Kosovë këtë fundjavë është gjithashtu e pasigurt, raportoi media serbe.
Kreu i Zyrës së Serbisë për Kosovën, Marko Djuriç, tha se “nuk ekzistojnë as kushtet më të vogla që të vazhdojë dialogu në Bruksel”.
Djuriç u shpreh se Vuçiç kishte informuar Mogherinin për “të gjitha gënjeshtrat e Prishtinës gjatë ditëve të kaluara” dhe shtoi se kjo “është arsyeja pse ai nuk do të takohet me delegacionin e Kosovës sot”, raportoi televizioni N1.
“Detyrimi i BE-së ishte të siguronte kushtet për dialog,” shtoi Djuriç.
Para takimit me Mogherinin, Thaçi tha vetëm se duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare, që përfshin njohjen reciproke të të dy vendeve, por jo ndarjen apo lëvizjen e qytetarëve.
“Ne jemi patjetër në fazën e fundit të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje përfundimtare për paqen midis dy vendeve. Ky proces paqësor negociatash besoj se do të sjellë progres pozitiv për të dy vendet dhe për stabilitetin për rajonin,” tha Thaçi në media.
Ai tha se fryma multietnike e Kosovës duhet të ruhet, duke thënë se kërcënimet e luftës dhe të refugjatëve ishin të papranueshme.
Ai tha gjithashtu se dialogu nuk duhet të lidhet me situata të tjera diku tjetër në botë, pasi ai kishte të bënte vetëm me interesat e popujve të Kosovës dhe Serbisë.
“Status quo-ja aktual është i paqëndrueshëm dhe konflikti aktual i ngrirë është i paqëndrueshëm, kështu që ne duhet të ecim përpara, në mënyrë që të realizojmë një të ardhme euroatlantike për Kosovën dhe një të ardhme europiane për Serbinë,” tha Thaçi.
Një raund i ri në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës do të mbahej të premten në Bruksel, pavarësisht tensioneve në rritje midis dy vendeve.
Vuçiç të premten urdhëroi institucionet serbe të ndalonin të gjitha komunikimet me Policinë e Kosovës dhe me paqeruajtësit ndërkombëtarë të KFOR-it.
Ndërkohë, ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se Vuçiç u përball me pengesa dhe kërcënime përpara vizitës së tij në Kosovë.
“E gjithë kjo tregon se nuk dëshirohet një marrëveshje paqeje. Disa vende që marrin pjesë në këtë, kanë shumë ndikim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe nuk janë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, as Franca e as Gjermania,” tha Daçiç, njoftoi të premten agjencia e lajmeve Tanjug e Serbisë.
“Është e rëndësishme që njerëzit në komunitetin ndërkombëtar të shohin se me ç‘lloj njerëzish të çmendur kemi të bëjmë,” shtoi Daçiç.
Vuçiç njoftoi në gusht se ai do të vizitonte Kosovën në fillim të shtatorit për t’i prezantuar “udhëzimet dhe orientimet e politikës shtetërore ndaj Kosovës” serbëve lokalë.
Të premten, ministri serb i mbrojtjes Aleksandar Vulin shtoi tensionet me fyerje të rënda për shqiptarët e Kosovës.
“Shqiptarët (një term shumë përbuzës për këta të fundit) janë heronj kur janë larg Vuçiçit, ndërsa para kamerave dhe nëpër takime, ata janë ndryshe,” tha ai.
Televizioni publik i Serbisë njoftoi të enjten se Vuçiç do të anulonte vizitën e tij në Kosovë nëse nuk lejohej të vizitonte liqenin Gazivode në veri të Kosovës, të cilin të dyja palët e shohin si të një rëndësie strategjike.
Ministri i jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli konfirmoi për BIRN se Kosova nuk do të lejojë që Vuçiç të vizitojë Gazivoden gjatë qëndrimit të tij. “Vuçiç nuk ka leje të vizitojë Gazivoden,” tha Pacolli për BIRN.
Nga ana tjetër, Djuriç tha se nëse Vuçiç do të shkonte në Kosovë, “ai me patjetër do të vizitoj liqenin Gazivode”.
Raportet e medias thanë se presidenti serb do të merrte një vendim përfundimtar për vizitën e tij në Kosovë të premten në mbrëmje.
Ish-provinca shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Serbia kurrë nuk e ka njohur atë.
Megjithatë, presioni ndërkombëtar ndaj të dy vendeve po rritet për të zgjidhur mosmarrëveshjen prej një dekade, nëse ata dëshirojnë të sigurojnë një të ardhme si pjesë e BE-së.