![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/chart-5.png)
Gjatë vitit 2017, konsumi i familjes shqiptare shënoi një rritje minimale prej 0.4% ndërsa shqiptarët kursyen nga shpenzimet për ushqim, veshje e pajisje afatgjata shtëpiake për të përballuar rritjen e kostos së shërbimit shëndetësor, transportit e komunikimit.
Konsumi mesatar mujor i familjes shqiptare përgjatë vitit 2017 ishte 73,400 lekë në muaj me një rritje minimale prej vetëm 0.4% në vlerë nominale në krahasim me vitin 2016, bëri të ditur Instituti i Statistikave në publikimin e rezultateve të Anketës së Konsumit të Familjeve 2017.
“Në vitin 2017, shpenzimet mesatare mujore për konsum të NjEF-ve, të përbëra mesatarisht nga 3,7 persona, janë 73.400 lekë,” shkruhet në njoftimin e INSTAT. “Vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të NjEF-ve në vitin 2017, është 0,4 % më i lartë se në vitin 2016. Rritja e çmimeve të konsumit, në vitin 2017, krahasuar me vitin 2016, është 2,0 %”, vijon më tej njoftimi.
Instituti i Statistikave kryen çdo vit një anketë kombëtare ku rreth 7,500 familje pyeten për konsumin e tyre të zakonshëm në të gjithë territorin e vendit, përfshirë konsumin e mallrave jo të blerë, të tilla si konsumi i produkteve bujqësore nga vetë familjet fermere. Anketa është kryer një herë në disa vjet më herët ndërsa kryhet çdo vit që nga viti 2014. Të dhënat shumëvjeçare të INSTAT tregojnë se në fakt, familja shqiptare ka njohur një rritje minimale të konsumit që prej një dekade. Në vitin 2007, konsumi i familjeve ishte 69,383 lekë në muaj. Përgjatë një dekade mes 2007 dhe 2017, konsumi familjar është rritur me mesatarisht 0.5%, shifër kjo ndjeshëm më e ulët se sa ritmi i rritjes së çmimeve.
Pabarazia, e matur si diferenca mes konsumit të 10% të familjeve/individëve të pasur dhe 90% të familjeve normale, është gjithashtu e lartë, por INSTAT raporton një ngushtim të lehtë të diferencës mes të pasurve dhe të varfërve gjatë vitit të kaluar.
Kështu, në vitin 2017, një familje e pasur që bie në decilin e sipërm, konsumoi 152 mijë lekë mallra dhe shërbime në muaj ndërsa shumica e shqiptarëve që bien në 9 decilet e tjera patën konsum mesatar prej vetëm 64,659 lekë në muaj. Diferenca mes 10% të pasur dhe pjesës tjetër është 2.4 herë, me një përmirësim të lehtë në krahasim me vitin 2016 kur ishte 2.5 herë.
Në Shqipëri vështirë se mund të flitet për “familje të pasura” në kuptimin që konsumi i 10% të të pasurve është i barabartë me konsumin minimal të një familjeje të varfër Europiane. Megjithatë, shifrat e INSTAT tregojnë se një diferencë e madhe shkaktohet nga madhësia e familjes, ku familjet me shumë fëmijë kanë konsum më të ulët për frymë ndërsa familjet pa fëmijë ose me një individ kanë më shumë të ardhura të disponueshme për konsum. Kështu, në nivel individësh, 90% i varfër pati konsum prej vetë, 18,311 lekësh për frymë ndërsa 10% i pasur pati konsum prej 62,329 lekësh për frymë. Edhe në konsumin për frymë, anketa sugjeron se pabarazia është ulur lehtë nga 3.5 herë në 3.4 herë.
Rritja ekonomike që nuk përkthehet në konsum
Ekonomia shqiptare është rritur ndjeshëm gjatë periudhës 2007-2017, pavarësisht se me ritëm shumë më të ngadaltë se sa në dekadën e mëparshme. Prodhimi i Brendshëm Bruto në vlerë nominale është rritur nga 965 miliardë lekë më 2007 në 1.57 miliardë lekë më 2017. Megjithatë, konsumi mesatar për frymë në vitin 2007 ishte 17 mijë lekë më 2007 [link] dhe u rrit në vetëm 22.712 lekë për frymë në vitin 2017. [Link]
Diferenca është e stërmadhe. Ndërsa PBB është rritur me 62% gjatë kësaj periudhe, konsumi mesatar i një individi është rritur me vetëm 31%. Kjo do të thotë se gjysma e rritjes ekonomike nuk është përfituar nga popullsia e gjerë. Diferenca bëhet edhe më e fortë nëse shohim përfitimet nga rritja ekonomike të ndara sipas nivelit ekonomik. Individëve të pasur i është rritur konsumi gjatë kësaj periudhe me 20% ndërsa atyre të varfër me vetëm 14%. Kjo tregon edhe rritjen e pabarazisë. Individët që i përkisnin 10% të popullsisë së pasur më 2007 kishin konsum 3 herë më të lartë se sa pjesa tjetër, ndërsa në 2017, konsumi i tyre ishte 3.4 herë më i lartë.