![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/20181005_191028_051018051-4_nvUt525.jpg)
Ervin Mata dhe disa miq të tij u përfshinë në një konflikt të armatosur me grupin e Ervis Martinajt në lokalin “Monopol” në Tiranë, në zonën e ish-bllokut. Si pasojë mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/20181005_191028_051018051-4_nvUt525-595x400.jpg)
Gjykata e Apelit Tiranë la në fuqi të enjten vendimin e Shkallës së Parë për caktimin e masës së sigurimit “detyrim paraqitje” ndaj 31-vjeçarit Ervin Mata, i dyshuar nga prokuroria për kryerje të veprës penale “vrasje në rrethana të cilësuara, e mbetur në tentativë” e kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Ervin Mata dyshohet se së bashku me disa miq të tij u përfshi në një konflikt të armatosur me grupin e Ervis Martinajt mbrëmjen e 4 tetorit në ambientet e lokalit “Monopol” në ish-Bllok, në kryeqytet. Si pasojë mbetën të plagosur Ervis Martinaj dhe Eljon Hato ndërsa ndërroi jetë shoku i tyre Fabjol Gaxha. Prokuroria e Tiranës ka shpallur në kërkim mikun e Ervin Matës, komandon Mervjol Bilo si autor të dyshuar të vrasjes dhe plagosjes së dyfishtë.
Ervin Mata u vetëdorëzua në polici mbrëmjen e 1 marsit. Prokuroria e Tiranës kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Matën, por gjykata vlerësoi si të drejtë kërkesën e mbrotjësit të tij dhe caktoi “detyrim paraqitje”. Pas disa ditësh prokuroria kreu ankim, por edhe gjyqtari i Gjykatës e Apelit Tiranë, Artur Kalaja vlerësoi se Shkalla e Parë kishte të drejtë, duke lënë në fuqi të njëjtin vendim.
Pak ditë pas ngjarjes, bazuar në deklarimet e gjithë të ndaluarve dhe personave që mendohej se kishin dijeni mbi ngjarjen, u dyshua se shkak i përplasjes së armatosur ishte bërë veprimi i një prej anëtarëve të grupit të Martinajt i cili kishte ngacmuar këngëtaren Elvana Gjata e cila ka lidhje me Ervin Matën. Por, burime në organin e akuzës shprehen se ende nuk kanë konkluduar në një motiv zyrtar të ngjarjes dhe se po hetohen edhe pista të tjera lidhur me shkakun e krijimit të konfliktit mes dy grupeve.