Dy të rinj që sipas policisë do të shisnin në Lezhë tre mina me telekomantë u arrestuan, ndërsa një i tretë u shpall në kërkim. Eksplozivët vinin sipas policisë nga Vlora.
Dy të rinj u ndaluan pasi ishin ndjekur nga policia e Lezhës dhe dyshohej se do të shisnin tre mina me telekomandë në këtë qytet. Në një njoftim për shtyp policia bëri me dije se kishte arrestuar A.Lukani 23 vjeç me banim në Vlorë dhe A.Elezi 21 vjeçe, ndërsa ishte shpallur në kërkim E.E 27 vjeç.
Policia po ashtu publikoi një video të kontrollit në çantën ku sipas saj gjendeshin eksplozivët të mbështjellë me rroba. “Operacioni “The long ëay” u finalizua pasditen e së hënës ku u sekuestruan 3 mina të montuara me telekomandë të shpërthimit në distancë, 2.3 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë si dhe 1 telefon celular”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia bëri me dije se goditja e këtij rasti nga Sektori për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë ishte një “punë profesionale të mirëorganizuar” dhe se të dyshuarit ishin “ndjekur me metoda proaktive”, por ende nuk është i qartë destinacioni i minave.
Nga hetimet rezulton se minat e telekomanduara do të shiteshin në zonën e Lezhës me një çmim 2500 euro secila. Dy ditë më parë në qytetin e vlorës një sasi tritoli e bërë gati për të shpërthyer u gjet nga policia dhe u çaktivizua ndërsa dyshohet se ra nga makina që kishte qenë shenjestër.