Kryetarja e bashkisë së Patosit në dy mandate, Rajmonda Balilaj zotëron pasuri familjare të deklaruar në vlerën e 6.7 milionë lekëve, ndërsa të ardhurat kryesore janë siguruar nga shfrytëzimi i një toke të mbjellë me lajthi, pronësia e së cilës ishte në konflikt gjyqësor.Rajmonda Balilaj u zgjodh në krye të Bashkisë së Patosit në zgjedhjet vendore të vitit 2011 si dhe fitoi një mandat të dytë në zgjedhjet e vitit 2015, si kandidate e Partisë Socialiste dhe e Aleancës për Shqipërinë Europiane.
Znj. Balilaj e ka filluar karrierën e saj në fillim të viteve ’90, pas përfundimit të studimeve universitare në degën Financë të fakultetit Ekonomik në Tiranë. Ajo ka kryer gjithashtu studimet Master në Administrim Publik pranë Universitetit Mesdhetar të Tiranës. [Lexoni CV-në]
Znj. Balilaj është angazhuar në politikë prej vitit 2000 dhe është aktualisht anëtare e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Nën siglën e kësaj partia, ajo fitoi mandatin e parë në krye të bashkisë së Patosit në vitin 2011 dhe mandatin e dytë në zgjedhjet vendore të vitit 2015, kur fitoi me 61.78% të votave.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve të bashkive të vendit në prag të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë familjare të deklaruar nga kryebashkiakja Rajmonda Balilaj nga viti 2011 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Kryetarja e bashkisë së Patosit deklaronte pasuri familjare me vlerë 1.1 milion lekë në vitin 2011, kur deklaroi për herë të parë interesat private pranë ILDKPKI. Referuar deklaratës “Para Fillimit të Detyrës”, znj.Balilaj deklaronte pronësinë mbi një shtëpi banimi dhe 490 m2 truall, blerë nga privatizimi i Ndërmarrjes Bujqësore, një objekt 30 m2 për ushtrim biznesi me vlerë 200 mijë lekë, një automjet si dhe një depozitë bankare prej 1390 dollarësh me burim dhuratë nga motra.
Në vitin 2011, Znj. Balilaj deklaronte gjithashtu 16 mijë m2 tokë të përfituar përmes ligjit 7501, por që nuk ishte regjistruar për shkak se ndodhej në konflikt gjyqësor.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e kryebashkiakes së Patosit është rritur me 6 herë dhe kap vlerën e 6.7 milionë lekëve. Ajo ndahet në 2.5 milionë lekë pasuri të paluajtshme, 2.2 milionë lekë likujditete bankare dhe automjet me vlerë rreth 1.9 milionë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese 2011-2017 janë 17.5 milionë lekë. Zëri kryesor në këtë kategori janë të ardhurat nga shfrytëzimi i tokës bujqësore të mbjellë me lajthi [pronësia e së cilës ishte në proces gjyqësor] në vlerë 6 milionë lekë ose 34.32% e të ardhurave.
Paga nga funksioni i kryebashkiakes ka siguruar 32.55%, ndërsa paga e bashkëshortit nga “Albpetrol” dhe e vajzës nga bashkia e Fierit kanë siguruar së bashku 24% të të ardhurave. Familja Balilaj ka siguruar të ardhura më të vogla nga aktiviteti privat i bashkëshortit në fushën e produkteve për mbrojtjen e bimëve në masën 9%.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik-logjik krahason të dhënat financiare familjare si dhe informacione të tjera me deklarimet e mëparshme, për të “identifikuar të dhëna mbi të ardhura ilegale të fshehura” në transaksionet e kryera nga politikanët, sipas manualit të Këshillit të Europës për analizimin e të ardhurave dhe aseteve të zyrtarëve publikë.
Kontrollit aritmetik/logjik iu nënshtruan 7 deklarata pasurie të Znj. Balilaj, të cilat rezultuan pa probleme. Por BIRN identifikoi si “flamur të kuq” trefishimin e hapësirës së një dyqani të përdorur për aktivitetin privat të bashkëshortit të Znj.Balili.
Në deklaratën e parë, kryetarja e bashkisë së Patosit deklaron pronësinë mbi një objekt me sipërfaqe 30 m2, të blerë për 200 mijë lekë. Ndërsa në vitin 2012, sipërfaqja e dyqanit zgjerohet në 90 m2, por nuk deklarohen të dhëna mbi mënyrën e përfitimit të pronësisë apo investimin e kryer. I vetmi sqarim është ai i shënuar nga regjistruesi “k.shitje 1 890 000 lekë”.
Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar lidhet me aplikimin për legalizim të një garazhi në vitin 2014, pronë e cila nuk rezulton e deklaruar më parë. Burimi i kësaj prone janë të ardhurat nga pagat dhe të ardhurat nga shitja e lajthisë.
Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë për vitin 2011
Deklarata e pasurisë për vitin 2012
Deklarata e pasurisë për vitin 2013
Deklarata e pasurisë për vitin 2014
Deklarata e pasurisë për vitin 2015
Deklarata e pasurisë për vitin 2016
Deklarata e pasurisë për vitin 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al