![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Arrestimi-i-Klevis-Balliut.jpg)
Gjykata e Tiranës la me masë sigurimi “detyrim paraqitje” ish-deputetin e Partisë Demokratike Klevis Balliu dhe tre protestues të tjerë. Ai u arrestua sëbashku me disa persona të tjerë për “kundërshtim me dhunë të policisë”. PD e cilësoi arrestimin politik.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Arrestimi-i-Klevis-Balliut-597x400.jpg)
Ish-deputeti i Partisë Demokratike i arrestuar të mërkurrën pas një proteste me bllokim rrugë në zonën e Unazës së Re në Tiranë, u la me masë sigurimi “detyrim paraqitje” nga Gjykata e Tiranës. Balliu sëbashku me protestues të tjerë akuzohen për “Kundërshtim me dhunë të policisë, organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme dhe shkatërim prone”.
Balliu dhe banorë të Unazës së Re që preken nga shpronësimi prej zgjerimit të rrugës protestuan duke bllokuar të mërkurën për pak kohë rrugën nga do të kalonte kryeministri Edi Rama. Policia përfshi Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë ndërhyn për të zhbllokuar rrugën dhe u përplasën me banorë dhe ish-deputetin e PD-së.
Pas përplasjes Balliu u shoqërua nga policia mes kundërshtimit të protestuesve. Arrestimi i tij të mërkurrën u shoqërua me protesta të tjera nga ish-deputetë e simpatizantë të PD dhe banorë të Unazës së Re që preken nga zgjerimi i rrugës, para Drejtorisë së Policisë në Tiranë.
PD e cilësoi arrestimin e Balliut si politik dhe të urdhëruar nga kryeministri. “Na mungon dikush sot, na mungon, sepse Edi Rama ka vendosur të kthejë burgun politik. Na mungon Klevis Balliu, i cili mbahet me urdhër politik vetëm e vetëm, sepse qëndroi në kah të qytetarëve që po i dhunonte policia”, tha kreu i PD Lulzim Basha gjatë një takimi në Pogradec.
Në mbështetje të Balliut në seancën pranë Gjykatës së Shkallës së Parë shkuan ish-deputetë të djathtë, si Edmond Spaho, Genc Pollo, Albana Vokshi, Ervin Salianji, dhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.
Gjatë seancës prokurori i çështjes, Gjergji Tako u shpreh se policia ka kryer referim për arrestim në flagrancë të Klevis Balliut, Lulzim Marqinaj, Seit Hajdarasi dhe Elton Skënderi për 6 vepra penale. Por, sipas prokurorit Tako, policia i ka referuar gabim tre prej veprave penale.
Sipas prokurorit, Klevis Balliu, kur ka tentuar të dalë nga furgoni i policisë i ka nxjerrë krahun një polici. Ai shtoi se provat e deppozituara nga policia në prokurori janë dy flimime, ku shquhet se Lulzim Marqinaj ka hedhur një tabelë, Seit Hajdari ka hedhur gurë ndërsa Elton Skënderi ka qëlluar me grusht.
Prokurori Gjergji Tako kërkoi caktimin e masës “arrest shtëpie” për Klevis Balliun duke argumentuar se ai nuk e ka kryer veprimin me qëllim. Ndërsa për tre të arrestuarit e tjerë kërkoi masë sigurie “arrest në burg”, pa afat.
Avokatët mbrojtës të Klevis Balliut, Genci Gjokutaj dhe Ledio Nuraj, kërkuan që ndalimi të quhet i paligjshëm dhe të mos caktohet masë sigurie, pasi nuk ka prova që të ngrihet dyshim i arsyeshëm se klienti i tyre mund të ketë konsumuar veprat penale “grumbullim i paligjshëm” dhe “kundërshtim i forcave të policisë”.
Vetë Klevis Balliu u shpreh para gjykatës se kishte tentuar për të dalë nga furgoni sepse njërit prej punonjësve të policisë i ishte çarë koka nga gurët dhe për të mos u dëmtuar më, kishte dashur të ndalonte njerëzit që të mos qëllonin më me gurë. Ai shpjegoi se gjatë gjithë muajve të fundit kur ishin zhvilluar protesta kishte dalë gjithmonë kundër ushtrimit të dhunës ndaj policisë dhe kishte qetësuar njerëzit.
Ai shtoi se banorët reaguan ndaj policisë pasi menduar se policët ishin mbledhur për të prishur banesat. Edhe avokatët e të arrestuarve të tjerë kërkuan që ndalimi i tyre të vlerësohet i paligjshëm dhe të mos caktohet masë sigurie.
I vetmi që është akuzuar për tre vepra penale është Elton Skënderasi, i cili veç për dy akuzat e sipërcituara është proceduar edhe për shkatërrim prone, pasi dyshohet se ka thyer me grusht xhamin e furgonit. Pasi gjykata vlerësoi provat e prokurorisë dhe kërksat e mbrojtësve të të arrestuarve vendosi të caktojë masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” dy herë në muaj për të katër të ndaluarit.