![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Ilia-Stefo-2.jpg)
Pasuria e deklaruar e kryetarit të bashkisë Kolonjë, Ilia Stefo nuk shënoi luhatje gjatë periudhës që ai shërbeu si qytetar i parë.
Ilia Stefo u zgjodh në krye të bashkisë Kolonjë në 20 nëntor 2016 me 63 % të votave, pas zgjedhjeve të parakohshme që u mbajtën si pasojë e vdekjes nga një atak kardiak i ish-kryetarit të bashkisë Arben Malo. Stefo është përfaqësues i Partisë Socialiste.
Dr. Ilia Stefo është diplomuar në vitin 1984 me rezultate shumë të mira në degën mjekësi të përgjithshme në Universitetin e Tiranës. Pas përfundimit të fakultetit emërohet mjek i përgjithshëm në Spitalin e Ersekës. Në periudhën shtator 1985 – korrik 1988 kryen specializimin pasuniversitar pranë klinikës universitare të kirurgjisë, spitali nr.2 Tiranë, ku titullohet mjek kirurg. Në vitin 1993, Stefo emërohet shef repartit të kirurgjisë në Spitalin e Ersekës, detyrë të cilën e ka kryer deri në nëntor 1997, kur transferohet në Korçë.
Nga 15 maji 2001 deri në 31 tetor 2001, Stefo është specializuar pranë klinikës së urologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza’, Tiranë. Nga dhjetori 2005 deri në maj 2007 ai ka qenë n/drejtor teknik i Spitalit të Korçës, si dhe nga janari 2013 deri në zgjedhjet e vitit 2016 shef i shërbimi të kirurgjisë.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit në fund të mandatit të tyre 4-vjeçar.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i Bashkisë së Kolonjë nga viti 2016 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Në deklaratën përpara fillimit të detyrës në ILDKPKI ne vitin 2016, Stefo ka deklaruar një pasuri familjare prej 9.7 milionë lekë, e cila nuk ka ndryshuar deri në fund të vitit 2017. Pasuria e subjektit përbëhet nga një apartament me vlerë 45 mijë euro, papafingo me vlerë 3 mijë euro, garazh me vlerë 600 mijë lekë dhe një shtëpi banimi në një fshat të Kolonjës pa vlerë financiare të përcaktuar. Ai ka gjithashtu në pronësi një korije në Kolonjë me sipërfaqe 3500 m2, një shtëpi të vjetër me sipërfaqe 1 hektar të trashëguar nga prindërit dhe 20,761 USD kursime në llogari bankare.
Të ardhurat e subjektit gjatë dy viteve të deklarimit kapin vlerën 1.5 milionë lekë dhe vijnë tërësisht nga paga për shkak të funksionit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 2 vite të deklarimit, të cilat rezultuan pa probleme.
Deklarata e pasurisë para fillimit të detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al