![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Jorgo-Goro.jpg)
Bashkëshortja e kryebashkiakut të Himarës deklaron pronësinë mbi dy apartamente dhe dy dyqane me vlerë totale prej 35.1 milionë lekësh, për të cilat nuk ka asnjë të dhënë për burimin e krijimit të tyre.Jorgo Goro u zgjodh për herë të parë kryetar i Bashkisë së Himarës në zgjedhjet lokale të vitit 2011 dhe në zgjedhjet e diskutueshme të së dielës kandidon për mandatin e tretë. Goro është përfaqësues i Partisë Socialiste dhe i Aleancës për Shqipërinë Europiane.
Jorgo Goro ka mbaruar Shkollën Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988 dhe ka punuar si pedagog në këtë shkollë deri në vitin 1991. Pas rënies së regjimit komunist, Goro emigroi në Greqi ku qëndroi deri në vitin 2001. Në vitet 2001-2006 Goro punoi si drejtor i Albtelekomit në Himarë, ndërsa në vitet 2008-2011 ka punuar si drejtor i “Alpha Bank” në degën e Himarës.
Përveç studimit të tij fillestar, Goro kreu studimet për Menaxhim Biznesi në vitet 2004-2008 në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës dhe zotëron master në Menaxhim Biznesi nga universiteti “Marlin Barleti” në Tiranë. [Lexo CV e plotë]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit në fund të mandatit të tyre 4-vjeçar.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i Bashkisë së Himarës nga viti 2011 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Jorgo-Goro-skeda.jpg)
Kryebashkiaku Jorgo Goro zotëronte familjarisht pasuri me vlerë 42 milionë lekë në vitin 2011; kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private pranë ILDKPKI. Në fund të vitit 2017, vlera e pasurisë së tij ka pësuar rënie dhe kap vlerën e 39.1 milionë lekëve.
Pasuria e patundshme përbën zërin kryesor të aseteve me vlerë 35.1 milionë lekë. Ajo përbëhet nga një shtëpi shtëpi banimi prej 120 m2 të përfituar nga trashëgimia, ndërsa bashkëshortja e tij deklaron pronësinë mbi dy dyqane dhe dy apartamente. Përveç pasurisë së patundshme, Goro deklaron familjarisht edhe likujditete bankare prej 4 milionë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 7.4 milionë lekë. 78% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni i kryebashkiakut, ndërsa paga e bashkëshortes zë rreth 17% të të ardhurave familjare. Një përqindje më e vogël buron nga interesat e likujditeteve bankare.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 7 vite të deklarimit, të cilat rezultuan pa probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë BIRN identifikoi si “flamur të kuq” mungesën e burimit të pasurisë së deklaruar nga bashkëshortja e subjektit. Më konkretisht në vitin 2011, bashkëshortja e subjektit deklaroi pronësinë mbi dy dyqane dhe dy apartamente me vlerë totale prej 35.1 milionë lekë, pa deklaruar asnjë të dhënë për burimin e krijimit të këtyre pasurive.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al