![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Gjykata-e-Krimeve-te-Renda-Tirane.jpg)
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi shpalljen fajtor të gjyqtarit Roland Hysi për veprat penale të “korrupsionit pasiv” dhe “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Gjykata-e-Krimeve-te-Renda-Tirane-300x180.jpg)
Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi të enjten dënimin me 4 vite burg për gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi, i akuzuar për veprat penale të “korrupsioni pasiv” dhe “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Prokuori i çështjes, Klodian Braho paraqiti konkluzionet përfundimtare që bazoheshin në pamjet filmike të transmetuara në datën 8 janar 2019 në emisionin “Stop” të televizionit Klan, ku në bisedat e siguruara nëpërmjet kamerave të fshehta përfshihej gjyqtari Hysi dhe psikologia Elona Meçani.
Sipas prokurorisë, në pamje shfaqet fakti se një qytetare i jep psikologes 500 euro për gjyqtarin Hysi, duke i premtuar edhe 500 euro të tjera pasi procesi të përfundojë në favorin e saj. Pamjet sugjerojnë gjithashtu se gjyqtari Roland Hysi i kërkon favore seksuale nënës së divorcuar në këmbim të vendimit gjyqësor.
Veç dënimit me 4 vjet heqje lirie, prokurori Braho kërkoi edhe dënim plotësues për moslejimin e Hysit të ushtrojë funksione publike për 3 vite. Pas njohjes me kërkesat përfundimtare të organit të akuzës, treshja gjykuese e Krimeve të Rënda, e përbërë nga gjyqtarët Sandër Simoni, Klodian Kurushi dhe Daniela Shirka shtyu seancën për t’i dhënë kohë mbrojtjes të përgatisë konkluzionet e saj. Nëse do të dënohet, gjyqtari Roland Hysi, aktualisht i pezulluar, do të përfitojë ulje të dënimit për shkak të përfitimit të gjykimit të shkurtuar. Ndërkohë, çështja për psikologen Elona Meçani ka kaluar për shqyrtim pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.