![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/uFb53-214032020.png)
Ministria e Shëndetësisë njoftoi të shtunën se numri i personave të prekur me koronavirusin e ri COVID-19 ka arritur në 38, ndërkohë shtoi se nga ana e Institutit të Shëndetit Publik janë testuar 505 persona të dyshuar.
Në 24 orët e fundit Institutit të Shëndetit Publik në bashkëpunim me epidemiologët e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor, ka vazhduar puna në terren për identifikimin e rasteve dhe për gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara tashmë me Covid-19.
Numri i personave që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 ka arritur në 38, duke shënuar një rritje prej 5 rastesh në 24 orët e fundit.
“Deri në këto momente janë testuar 505 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 38 raste,” tha Ministria e Shëndetësisë.
Sipas Ministrisë 12 nga pacientët e infektuar janë shtruar në spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza dhe të tjerët janë në vetizolim.
“Dy prej tyre janë në terapi intensive, një 66 vjeçar nga Lushnja dhe një 61-vjeçare nga Fieri,” tha Ministria e Shëndetësisë. “Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente,” shtoi ajo.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë deri me 13 mars në të gjithë botën janë identifikuar 132785 raste me COVID-19, nga të cilat 7499 raste të reja në 24 orët e fundit. Nga kjo sëmundje kanë humbur jetën 4955 persona, 342 raste vetëm në 24 orët e fundit.
Një prej këtyre viktimave është një 73-vjeçare nga Durrësi e cila humbi jetën të martën.
Koronaviruset janë një familje e madhe virusesh që shkaktojnë sëmundje nga më të lehtat deri tek ato tepër të rënda. Ato janë të përhapur në shumë lloje të kafshëve dhe rrallë evoluojnë, transmetohen, infektojnë njerëzit dhe më pas përhapen midis tyre.
Koronaviruset humane u identifikuan për herë të parë në vitin 1960 dhe deri në vitin 2019 njiheshin 6 të tillë nga të cilët 4 të zakonshëm, ndërsa dy prej tyre kanë patogjenitet të lartë – SARS – CoV që shkakton Sindromën Respiratore Akute të Rëndë dhe MERS – CoV që shkakton Sindromin Respirator të Lindjes së Mesme.
Ndërkohë, Koronavirusi i ri COVID- 19 e ka burimin nga qytetit Wuhan, provinca Hubei, në Kinë, ku u zbulua në dhjetor 2019. Ashtu si sëmundjet e tjera të rrugëve të frymëmarrjes, infeksioni i ri nga COVID-19 mund të shkaktojë simptoma të lehta si ftohje, dhimbje fyti, kollë dhe ethe, ose simptoma më të rënda si pneumoni dhe vështirësi në frymëmarrje. Rrallëherë mund të jetë fatale.