![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Protesta-e-Studenteve-22-nentor-2018-13.jpg)
Megjithëse studentët janë një nga tre kategoritë që përfitojnë nga vendimi i qeverisë për shtyrjen me 2 muaj të pagesave të qirave, për shkak të mungesës së kontratave formale vetëm një përqindje e vogël përfitojnë.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Studentët-mundohen-të-grupohen-për-të-ndarë-qeranë-së-bashku-e-për-të-ulur-kostot-e-jetesës-2-600x400.jpg)
Ilna Bezati, studente e degës së Financës në Universitetin e Tiranës me origjinë nga Vlora, nuk do të paguaj qira për apartamentin e saj në kryeqytet gjatë muajit prill.
“Fatmirësisht arritëm një marrëveshje me qiradhënësin, kështu që këtë muaj nuk do e paguajmë qiranë,” u shpreh Bezati. “Gjithsesi dritat dhe ujin do i paguajmë patjetër,” shtoi ajo.
Megjithë miratimin e një akti normativ për shtyrjen e pagesave të qirave për shkak të situatës së krijuar nga epidemia e COVID-19, Bezati e konsideron veten me fat që arriti një marrëveshje me qiradhënësin e saj.
Të dhënat e një sondazhi të publikuar nga qendra “Qëndresa Qytetare’ tregojnë se vetëm një përqindje e vogël e studentëve që jetojnë me qira në Tiranë ose qytete të tjera universitare kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët me qiradhënësit.
“Vetëm 17% e studentëve që banojnë me qira kanë arritur një marrëveshje me qiradhënësin për shtyrjen e qirasë, ndërsa 28.3% e tyre janë detyruar të paguajnë qiranë normalisht,” tha Qëndresa Qytetare.
“Ndërkohë, 54.7 % e studentëve nuk e dinë akoma se çfarë do ndodhë me pagesën e tyre të qirasë”, thuhet në gjetjet e organizatës “Qëndresa Qytetare” bazuar në përgjigjet e studentëve.
Të dhënat vijnë nga një sondazh me 720 studentë në 9 universitete të Shqipërisë, të targetuara gjatë periudhës mars-prill 2020, mbi problematikat kryesore të ndjekësve të arsimit të lartë gjatë periudhës së epidemisë së koronavirusit të ri SARS-CoV-2.
Sondazhi i mundësuar nëpërmjet shpërndarjes së pyetësorëve online u kushtëzua të shfaqej në mënyrë rastësore vetëm për të rinjtë e moshave 18-24 vjeç në të gjithë territorin e vendit, nga të cilët 73.8% e studentëve i përkasin nivelit të studimeve bachelor dhe 26.2% nivelit të studimeve master.
Sipas INSTAT në vitin shkollor 2018-2019 në universitet shqiptare publike dhe private ishin të regjistruar 139 mijë studentë. Një pjesë e madhe e tyre studiojnë në Tiranë dhe vijnë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë.
Qëndresa Qytetare është një organizatë me qendër në Tiranë e themeluar në nëntor 2016, e cila përbëhet nga një grup profesionistësh të rinj që besojnë tek pushteti i qytetarit.
Organizata e ka nisur punën e saj me arsimin, duke e konsideruar këtë sektor si prioritar për shkak se mund të kthehet njëkohësisht edhe si burim i fenomeneve negative në shoqëri, por njëkohësisht edhe si motor i zhvillimit të vendit nëse investohet siç duhet.
Qeveria me 2 prill miratoi Aktin Normativ Nr. 12, me qëllim shtyrjen e pagesave të qirasë për 2 muaj, prill dhe maj për 3 kategori, ndër të cilat përfshiheshin edhe studentët që janë larguar për në banesat e tyre pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë.
Pavarësisht qëllimit të mirë, pasi ky akt synonte ti vinte në ndihmë të gjithë studentëve të cilët që kanë marrë një banesë me qira në një nga bashkitë universitare, ai vlen vetëm për ata të rinj që posedojnë aktualisht një kontratë të qirasë.
“Të gjithë qiramarrësit studentë, të cilët kanë kontratë qiraje për banesë apo çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien kontraktore qiradhënës–qiramarrës, përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020”, është shprehur qeveria mbi lehtësimet që do të ofronte ky akt normativ.
Ndërkohë, sipas të dhënave të mbledhura nga sondazhi vetëm 14.3% e studentëve që banojnë me qira kanë lidhur një kontratë noteriale, ndërsa 85.7% e tyre janë marrë vesh verbalisht me qiradhënësin, duke i vendosur ato në disavantazh për të arritur një marrëveshje të mundshme për shtyjren e pagesës së qirasë.
“U mundova të negocioja, por ishte e pamundur,” shprehet Marseli, një student 20-vjeçar në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës.
“Pronari i shtëpisë erdhi dhe më kërkoi lekët si çdo muaj tjetër, kështu që në fund pagova”, shtoi ai.
Të enjten Qëndresa Qytetare depozitoi në Këshillin Bashkiak Tiranë një peticionin me 332 firma të studentëve banues në konviktet e Qytetit Studenti, të cilët i kërkojnë nga Këshilli Bashkiak Tiranë të marrë vendim për anulimin e tarifave të konvikteve.
“Prej datës 9 mars 2020ne nuk po shfrytëzojmë, përdorin apo të marrin shërbimet për të cilat kanë paguar tarifat e akomodimi sipas kontratës,” u shpreh Tea Zeqaj, përfaqësuese e studentëve në Qytetin Studenti.
Sipas aktivistëve ky peticion adreson shqetësimin e rreth 5400 studentëve të lënë pa asnjë komunikim dhe vendim nga Drejtoria e Qytetit Studenti prej datës 9 mars, kohë kur ky institucion urdhëroi që studentët të largohen nga konviktet për arsye sigurie.
Gjithashtu, një tjetër problematikë tashmë e njohur dhe e konfirmuar edhe nga gjetjet e sondazhit të kryer prej “Qëndresës Qytetare” është ajo e mungesës së aksesit në internet e një numri të konsiderueshëm të studentëve, të cilët për shkak të mbylljes së universiteteve, si rrjedhojë e masave të distancimit social duhet t’i ndjekin mësimet online.
Rezultatet e sondazhit tregojnë se 40.9% e studentëve të pyetur nuk kanë pasur akses të vazhdueshëm në internet gjatë periudhës së izolimit dhe vetëm 59.1% e tyre kanë siguruar qasje të vazhdueshme në internet.
Për pasojë, këta student që kanë mbetur pa akses në internet pas fillimit të mësimit online, nuk e kanë pasur të mundur as ndjekjen e rregullt të procesi mësimor.
“Vetëm 72.8% e studentëve kanë mundur ta ndjekin mësimin online rregullisht, ndërsa 27.2% nuk e kanë ndjekur atë rregullisht” ka deklaruar Qëndresa Qytetare.