![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/20200330_150850_300320024-4_wa52X1P.jpg)
Shqipëria shënoi një nga ditët më të këqija për sa i përket numrit të rasteve të reja të konfirmuara me koronavirus, por autoritetet thonë se rastet e reja janë vetëm në dy vatra.
Shqipëria shënoi 29 raste të reja gjatë 24 orëve të fundit të personave të prekur nga koronavirusi, duke e bërë të Enjten një nga ditët më të këqija që nga fillimi i pandemisë. Nga këto, 13 i përkasin një vatre të re, të cilës Instituti i Shëndetit Publik iu referua si Institut i Ekzekutimit të Dënimeve Penale në Tiranë.
Tirana shënoi gjithsej 20 raste të reja duke u konfirmuar si vatër e hapur, pavarëisisht se gjatë ditëve të fundit kishte pasur një numër të papërfillshëm rastesh të reja. Po kështu, Kruja, e cila është bërë vatra e tretë më e madhe e koronavirusit në Shqipëri, shënoi 7 raste të reja duke e rritur totalin në 65 raste. Po me të njëjtën vatër, një fabrikë fason që qëndroi e hapur pavarësisht rrezikut, lidhen edhe 28 raste të tjera të banorëve të ish-rrethit Kurbin por që i përkasin fshatrave pranë Krujës dhe që kishin punëtorë në të njëjtën fabrikë.
Që nga shfaqja për herë të parë e koronavirusit në Shqipëri më 8 Mars, janë shënuar gjithsej 663 persona të prekur. Nga këto, 385 persona janë shëruar ndërsa numri i të vdekurve mbeti i pandryshuar në 27.
Numri i personave të hospitalizuar ishte 34 duke shënuar një rënie të ndjeshme në krahasim me ditët e mëparshme por nga këto, numri i personave nën kujdes intensiv është tetë.
Një pjesë e madhe e vatrave të koronavirusit në qytete të ndryshme të Shqipërisë tashmë rezulton e shuar pasi pas identifikimit të rasteve të para, nuk ka pasur raste të tjera ndërsa pacientët janë shëruar. Por zbulimi i një vatre të re në Krujë pak ditë më parë dhe në një burg në Tiranë sot, ngre rrezikun se hetimi epidemiologjik dhe masat e distancimit social nuk po arrijnë të mbyllin vatrat e infeksioneve pavarësisht se vendi gjendet në javën e gjashtë të bllokimit.
Gjithsesi, Instituti i Shëndetit Publik deklaroi se nuk e konsideron problematike rritjen e rasteve gjatë ditëve të fundit për shkak se këto raste vijnë nga vetëm dy vatra.
“Edhe pse ka një numër të rritur të rasteve, përsëri ato janë të lokalizuara në vetëm dy vatra, të cilat po monitorohen nga epidemiologët e shërbimit epidemiologjik,” deklaroi Rovena Daja nga ISHP.