![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/20200330_150850_300320024-4_wa52X1P.jpg)
Analizat e 259 personave të dyshuar gjatë 24 orëve të fundit identifikoi 15 raste të reja, Tirana, Mirdita, Shkodra, Kukësi, Hasi dhe Kurbini mbeten vatra të nxehta.
Shqipëria numëroi 15 raste të reja infektimesh me koronavirusin e ri gjatë 24 orëve të fundit, bëri të ditur Instituti i Shëndetit Publik të premten, duke mbyllur një javë pune të rënduar me raste të reja. Numri i testimeve të rasteve të dyshuara u rrit në 259, një nga shifrat më të larta të shënuara deri më sot.
Rastet e reja janë në shumicë në Tiranë (9) ku të Enjten u zbulua një vatër e re në njësinë e paraburgimit. Sipas ISHP-së, të gjitha rastet e reja janë kontakte të pacientëve të identifikuar më parë. Por raste të reja u shënuan gjatë ditës së fundit edhe në Mirditë, në Shkodër, Kukës, has dhe Kurbin.
Në total që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë shënuar 678 raste pozitive, ose 236 raste për milionë banorë. Shqipëria gjendet diku në mes të listës së vendeve të prekura në rang botëror.
Vatra e Krujës, e cila solli shumicën dërrmuese të infektimeve të reja gjatë kësaj jave, raportoi zero raste gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave të ISHP-së.
Numri i testimeve totale në vend u rrit në 6768 raste, ose në afërisht 2300 testime për milionë banorë.