![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Spitali-Infektiv-1.jpg)
Tirana vazhdon të shënojë numrin më të lartë të rasteve të reja në vend, ndërkohë që totali i personave të prekur që prej fillimit të epidemisë u rrit në 766. Tre ushtarakët, pjesë e misionit të KFOR në Kosovë po trajtohen në spitalin Infektiv.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Spitali-Infektiv-1-558x400.jpg)
Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë identifikuar 16 raste të reja me COVID-19 nga 270 persona të testuar në të gjithë vendin. Sipas Eugena Tominit nga Instituti i Shëndetit Publik, tre prej të infektuarve janë ushtarakë, pjesë e misionit të KFOR-it në Kosovë, të cilët po marrin trajtim mjekësor në shërbimin infektiv në Tiranë. Tomini i konsideroi tre të prekurit si raste të importuara nga Kosova.
Harta e infeksionit u zgjerua të mërkurën me 9 raste në Tiranë, 5 raste në Krujë dhe nga një rast në Shkodër dhe Berat. Numri total i personave të prekur që prej fillimit të epidemisë në Shqipëri u rrit në 766 persona të mërkurën.
Mes tyre, 455 persona janë shëruar tashmë, ndërsa 281 të tjerë konsiderohen pacientë aktivë.
“Nga pacientët aktivë, vetëm 10% e tyre janë të shtruar në spitalet COVID 1 dhe COVID 2, ndërsa 90% janë asimptomatikë apo me simptoma të lehta,” deklaroi Tomini.
Në dy spitalet e vëna në dispozicion të epidemisë ndodheshin të shtruar të mërkurën 33 pacientë. Tetë prej tyre ndodhen në gjendje më të rënduar dhe në terapi intensive.
Instituti i Shëndetit Publik vlerëson se situata e përhapjes së COVID-19 në Shqipëri është e kontrolluar, pavarësisht luhatjes së numrit ditor të rasteve të reja. Sipas Tominit, kjo matet nga numri i qëndrueshëm i personave të shtruar në spital dhe i atyre që kanë nevojë për terapi intensive.