![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/5857331527_dc8ae729bb_c.jpg)
Policia shqiptare shpalli hetime për pastrim parash dhe ushtrim pa licencë i veprimtarisë financiare ndaj biznesmenit Aleksandër Gavoçi, por pa shpjeguar se në çfarë mënyre është kryer pastrimi i parave dhe as se kush ishte aktiviteti kriminal në origjinë të parave të kapura në tentativë për t’u pastruar. BIRN nuk arriti të kontaktojë me të akuzuarin.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/5857331527_dc8ae729bb_c-533x400.jpg)
Një llogari bankare me vlerë 400 mijë dollarë u bllokua me masën e sekuestros preventive nga ana e policisë dhe prokurorisë ditën e Enjte ndërsa një biznesmen, i raportuar nga policia me inicialet A.G., po tentonte t’i transferonte këto para për në Australi te i vëllai.
Në njoftim thuhet se lidhur me këtë rast, në Prokurorinë e Tiranës është regjistruar procedim penal për veprat penale “pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “ushtrim pa licencë i veprimtarisë financiare”.
BIRN mësoi se personi në fjalë është Aleksandër Gavoçi, një biznesmen në fushën e ndërtimit me xhiro vjetore prej miliona eurosh. BIRN nuk arriti të kontaktojë Gavoçin për koment.
Policia nuk dha shpjegime se cila është vepra penale nga kanë rrjedhur paratë e sekuestruara nën dyshimin e pastrimit të parave.